E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen makina e tregtares, mister shkaqet

Vlorë-Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmë në qytetin e Vlorës, kur një automjet ka marrë flakë dhe ka bërë një zhurmë të tmerrshme. Pronarja e saj është 53-vjeçarja Meneka Xhemali që punonte si tregtare në këtë qytet. Nga denoncimi që ka dhënë në polici nuk ka deklaruar të ketë patur konflikt me persona të tjerë. Ndërkohë ekspertiza ende nuk ka përcaktuar shkakun e shpërthimit të mjetit.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 10.30 në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Vlorës. Banorët e zonës kanë dëgjuar një zhurmë të madhe, që e përkufizojnë si shpërthim tritoli, dhe kanë parë një makinë që digjej në flakë. Me mbërritjen e policisë është bërë i mundur identifikimi i mjetit që disponohej nga shtetasja Meneka Xhemali. Makina ishte ngjyrë e bardhë me targa Vlore.

Sot në mëngjes policia ka dhënë edhe informacionin zyrtar për mediat, ku thotë se po punohet zbardhjen e ngjarjes, për mënyrën se si ka marrë flakë mjeti. Dy pistat ku është përqendruar policia është vënia e qëllimshme e ndonjë lënde plasëse në automjet, ose defekti me pasojë shpërthimin e natyrshëm të këtij mjeti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›