Islami: Spastrimet do ta rrudhnin më tej PS
Deputeti socialist Kastriot Islami deklaron se do të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare që mbahet sot, ndërsa insiston te nevoja e bashkimit të së majtës për të pasur sukses elektoral.
Zoti Islami, PS mbledh të shtunën Asamblenë Kombëtare. Çfarë do të ndodhë në këtë mbledhje?
Do mbajë një fjalim kryetari Edi Rama, i cili do të flasë për mungesën e institucioneve në Shqipëri dhe do të flasë edhe për vazhdimin e angazhimeve të Partisë Socialiste. Pastaj do të ketë një debat dhe në këtë debat do të ketë si gjithmonë një pjesë që do të kërkojë masa më radikale, ndërsa pjesa tjetër masa të përziera, radikale dhe të buta. Njëkohësisht duhet pasur parasysh se ky është një vit zgjedhor dhe do të ketë një axhendë që do të hidhet në këtë mbledhje për të ju paraqitet kongresit të ardhshëm për zgjedhjet në të gjitha nivelet. Pra nga strukturat lokale, deri tek Asambleja dhe Kryesia e partisë në qendër. Nuk e di se cili do të jetë rezultati, sa i takon qasjes me parlamentin shqiptar, ku faktori ndërkombëtar ka kërkuar qartazi që Partia Socialiste të ndërpresë bojkotin. Edhe sot sekretari i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkonte që të njiheshin vendimet e institucioneve dhe të respektohej rezultati.
Nga gjithë sa thatë zoti Islami, vetëm fjalën analizë nuk e dëgjova për mbledhjen e së shtunës. Ka munguar pas zgjedhjeve të 2009 dhe duket se do të mungojë sërish edhe këtë herë....
Është shpejt për të përdorur këtë fjalë, pasi kam përshtypjen se vet zoti Rama nuk do të heqë fokusin nga çështja e Tiranës. Pasi të dalë rezultati final, përfshirë edhe Tiranën, natyrisht mund të ketë një proces analizë që mund të kryhet në dy mënyra. E para është ajo tradicionale dhe klasike, ku gjithsecili ballafaqon punën e tij me objektivat e arritur. Normat, secila njësi i ka pasur si objektiva të qarta elektorale. Forma e dytë e analizës është përmes zgjedhjes së forumeve dhe pa e bërë analizën. Secili duke u zhvendosur nga pozicioni ku është, merr edhe përgjegjësinë për analizën. Kjo gjithsesi është e maskuar shpesh edhe me luftën e brendshme që shpesh herë shmangen njerëz, që kanë punuar mirë dhe vendosen ata që kanë qenë më klientelist.
Ka një koment të zotit Braçe, që thotë se drejtimi i PS duhet të ndryshojë dhe se duhet të dimë kë po përfaqësojmë. Çfarë kuptoni ju me këtë?
Nuk më takon mua. Ndoshta është vet zoti Braçe që duhet të përgjigjet për këtë çështje. Për mua PS ka shumë probleme, që nisin nga i pari, dhe më i rëndësishmi që është ai që shpjegon jo vetëm rezultatin tani, por edhe në 2005 dhe 2009. PS si forca kryesore e së majtës, nuk arrin të sigurojë një bashkim të së majtës, e cila ka më shumë vota në Shqipëri se e djathta dhe mund të garantojë një sukses pa u futur në qorrsokak me 10 vota. E dyta, PS ka jo vetëm në Shqipëri një krizë identiteti. Ai grupim në vendimmarrjen e PS ka një dallim nga ata që e votojnë Partinë Socialiste. Nëse PS, pas një përçarjeje të së majtës, do të tentojë një spastrim të saj, kjo do ta rrudhte akoma më shumë atë dhe nuk do t’i shërbente forcimit. Duhet të ndodhë reflektimi, të dëgjohet mendimi alternativ, nuk është sekret ta themi se ky mendim është shprehur dhe është atakuar rëndë në mënyrë direkte e indirekte, pasi rezonon me atë të faktorit ndërkombëtar.
Nëse ju dhe zoti Harasani jeni shprehur se nuk jeni të vetmit që mendoni ndryshe në PS. Deri më tani nuk ka pasur dalje të tjera publike që tu mbështesë nga grupi i PS. A ka deputetë tjerë në grup?
Jo vetëm brenda grupit por brenda asamblesë, kryesisë, sekretariatit ka natyrisht njerëz që mendojnë ndryshe dhe kjo duhet përshëndetur. Të paktën PS ka ende hapësirë të mendohet ndryshe por hapësira për tu thënë është zvogëluar. PS ka qenë një parti që jo vetëm mendojë ndryshe me vete në krevat por edhe e thoje. Në PS ka njerëz që mendojnë ndryshe, ka nga ata që nuk mendojnë ndoshta si ne por ndryshe ama nga ata që thotë kryetari i partisë dhe disa që në mënyrë klienteliste apo si snajpera mendojnë se mbështesin kryetarin e PS. Do vijë momenti kur të shprehen hapur mendimet e ndryshme. LMN nuk ishte parti që duhet të kishte mendim unik. Ata ishin një grup njerëzish që edhe sot po ti pyesësh thonë se janë kundër bojkotit, që kërkonin luftë në parlament, edhe sot do flasin për ndërtimin e një axhende bashkëveprimi me mazhorancën për integrimin europian.
Do jeni nesër në Asamblenë e PS?
Normalisht që po.