E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim humbjesh

Aktiviteti i vullkanit në Islandë, që lëshoi renë gjigante të hirit, është rritur sërish duke shkaktuar kolaps në krejt trafikun ajror të Evropës. Rritja e këtij vullkani garanton edhe për disa ditë këtë kaos. Gjeologët kanë bërë të ditur paraprakisht se retë e hirit do të vazhdojnë akoma të formohen. Ata nuk janë ende në gjendje të japin një ditë, as përafërsisht, se kur do hiqet ky hi nga atmosfera. Udhëtarët janë në kërkim të transporteve alternative. Shtetet evropiane kanë shtuar numrin e trenave dhe të anijeve transportuese. E tash, në krejt këtë vorbull, aviokompanitë kanë filluar t`i njehin humbjet e tyre multimilionëshe.

Ato kanë deklaruar se mbërrijnë deri në 200 milionë euro humbje brenda një dite. Paniku i tyre që do të vazhdojë kjo situatë, i ka shtyrë ata të bëjnë teste krye në vete. Kompania gjermane Lufthansa, pasi deklaroi humbjet e mëdha, nisi një avion në hapësirë dhe sipas konstatimeve të tyre, avioni nuk është prishur aspak nga ky hi. Megjithatë, Eurocontrol nuk ua ka lejuar nisjen e operimeve në mënyrë normale.

Humbje të mëdha kanë lajmëruar edhe agjencitë ajrore kosovare. Humbjet i pandehin si shumë të mëdha, por të dhëna të sakta, e as të përafërta, s`kanë. Saktësisht humbjet nga kjo bllokadë i dha vetëm drejtori i Aeroportit, Agron Mustafa, i cili tha se ANP-ja humb diku prej 80 deri në 100 mijë euro në ditë, varësisht prej numrit të fluturimeve. Sa do të vazhdojë kjo gjendje, ai s`e di. Deklarimet e ekspertëve, sipas tij, më shumë janë pesimiste, sesa optimiste. Aeroporti i Kosovës, aktualisht, është i hapur vetëm për aterrime të avionëve që janë ngjitur lart dhe s`kanë kah t`ia mësyjnë. Gurbetqarët kosovarë janë nisur me autobus dhe vetura. Gjatë ditës së diel nuk u realizua asnjë fluturim.

“Të gjitha fluturimet e parapara për sot janë të anuluara për shkak të mbylljes së aeroporteve të tjera në Evropë, përveç Turkish Airlinesit, i cili pritet të arrije në ora 23”, tha zëdhënësi i Aeroportit, Altin Ahmeti. Ai u hap sërish për fluturime, pas mbylljes nga mesnata e kaluar për shkak të çrregullimit të trafikut ajror në shumicën e aeroporteve të Evropë. Ahmeti tha se nuk do të ketë fluturime, pasi që janë anuluar rreth 20 sosh, për shkak se aeroportet evropiane vazhdojnë të jenë të mbyllura. As fluturimi i aeroplanit të Bel Air në relacionin Tiranë-Prishtinë nuk është i sigurt nëse do të realizohet.

Ahmeti ka thënë se në bazë të informacioneve që posedojnë nga qendra meteorologjike e Aeroportit të Prishtinës dhe ajo e Britanisë dhe e Francës, është paralajmëruar se gjatë natës së martë dhe të mërkurë hiri vullkanik mund të vijë edhe në Kosovë. Rinisja e fluturimeve nga Prishtina, qofshin ato edhe të pjesshme, varen nga kthimi në funksion i aeroporteve ndërkombëtare, kryesisht atyre ku ka më shumë linja me Kosovën, si Gjermania, Suedia, Zvicra e Britania e Madhe.

Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se edhe pse ishte paralajmëruar se hiri vullkanik mund të prekë edhe Kosovën, një gjë e tillë thuhet se nuk ka ndodhur si rezultat i erës, e cila gjatë ditës ka fryrë nga ana e jugut. Ky informacion është konfirmuar edhe nga zëdhënësi Altin Ahmeti. Drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës u kanë bërë thirrje pasagjerëve që për fluturimet e parapara, por të anuluara, t’i kontaktojnë aviokompanitë, në mënyrë që të informohen për kohën e mundshme të nisjes së trafikut ajror, duke u bërë thirrje atyre që të mos ia mësyjnë fare Aeroportit. Eurocontrol thotë se rreth 16 mijë nga mesatarja e 28 mijë fluturimeve të përditshme në Evropë, u anuluan.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›