Shpërthim në Afganistan, zyrtarët talebanë shënjestrohen në një ceremoni varrimi në xhami

Një shpërthim brenda një xhamie në veri-lindje të Afganistanit ka vrarë 11 persona dhe ka plagosur 30 të tjerë, njofton BBC. Disa zyrtarë lokalë talebanë ishin në mesin e të vrarëve ose të plagosurve.
Një zyrtar lokal tha se shpërthimi ndodhi gjatë një shërbimi lutjeje për zëvendësguvernatorin e provincës Badakhshan, i cili u vra nga një makinë bombë në fillim të kësaj jave.
Grupi militant i Shtetit Islamik tha se kreu sulmin me makinë bombë. Shpërthimi i së enjtes ndodhi në orën 11:00 me orën lokale në kryeqytetin e provincës, Faizabad.
Vajtuesit po merrnin pjesë në funeralin e Nisar Ahmad Ahmadi, ushtrues detyre i guvernatorit provincial taleban të Badakhshan, i cili u vra gjatë rrugës për në punë të martën. Një person tjetër u vra dhe gjashtë u plagosën në atë sulm.
Dy burime konfirmuan për BBC se dy zyrtarë lokalë talebanë u vranë në xhami. Ata përfshijnë ish-komandantin e policisë së provincës veriore Baghlan, Safiullah Samim, sipas një deklarate që ofron ngushëllime nga një tjetër shef policie.
“Ministria e Brendshme e IEA dënon këtë brutalitet të armiqve të turpëruar” bëhet e ditur në një deklaratë për shpërthimin.
Dëshmitarët okularë thanë se pas shpërthimit dëgjoheshin të shtëna.
/rtsh.al/