Shpërthim në Tel Aviv, mbi 20 të lënduar

Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, një person e hodhi eksplozivin të futur në një çantë, mes udhëtarëve që gjendeshin në autobus dhe më pas u largua. Sipas BBC, Hamas ka marrë përsipër sulmin, i cili madje është lajmëruar përmes altoparlantëve në Gaza, si hakmarrje ndaj sulmeve izraelite.
Policia izraelite ka deklaruar se bëhet fjalë për një sulm terrorist. Edhe zëdhënësi i kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar ngjarjen si akt terrorist.
Sipas të përditshmes “Haaretz” kanë nisur kërkimet për gjetjen e autorit, i cili siç edhe duket, nuk ka qenë një sulmues vetëvrasës, pasi është larguar me të hedhur lëndën eksplozive në autobus.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon është takuar në Ramallah me liderin palestinez, Mahmoud Abbas, me të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar në Gaza dhe për mundësitë e një armëpushimi.
“Sot, situata në Gaza është shumë alarmuese. E gjithë bota është e shumë e shqetësuar lidhur me ngjarjet atje”, ka thënë Ban.
Ai ka kërkuar nga të gjithë ata që janë në komandë, nga të dyja palët, që ta respektojnë ligjin ndërkombëtar, për të siguruar mbrojtjen e civilëve gjatë gjithë kohës.
Edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton është takuar me Abbasin, me të cilin ka diskutuar rreth përpjekjeve për të siguruar një armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
Më herët, ajo në Jerusalem u takua me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, tha se kjo është pjesë e përpjekjeve intensive diplomatike për t'i dhënë fund shkëmbimeve të zjarrit me raketa mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
"Qëllimi i gjithë kësaj diplomacie është që të lehtësohen vuajtjet e civilëve, qofshin ata izraelitë ose palestinezë", tha Nuland.
Presidenti Barack Obama e dërgoi sekretaren Clinton në rajon “për të mirën e të gjithëve”, siç shprehet zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rhodes.
Netanyahu theksoi se ai preferon diplomacinë për të ndalur sulmet ndër-kufitare ajrore mes vendit të tij dhe militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Por ai përsëri u zotua se Izraeli do të marrë çdo veprim për të mbrojtur qytetarët e vet.
Netanyahu tha se padyshim se asnjë vend nuk mund të tolerojë sulmet mbi qytetarët e vet.
Kryeministri turk, Rejep Tajip Erdogan, e quajti të hënën Izraelin një shtet terrorist për shkak të sulmeve të tij në Gazë.
Zëdhënësja Nuland thotë se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë qeverisë në Ankara se "disa nga retorikat jashtëzakonisht të ashpra që vijnë nga Turqia nuk janë të dobishme".