Fuat Banja: Kemi shumë të drejta në fushën e mjedisit, duhet t’i shfrytëzojmë
Kanë kaluar gati 10 vjet nga nënshkrimi i Konventës së Aarhusit “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’ju drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit” dhe ne konstatojmë me keqardhje se ato janë gati të panjohura për komunitetin e rajonit të Elbasanit. Shoqata “Lidhja Ekologjike” Elbasan, mbështetur nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në emër të ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit Qarku Elbasan zbatoi projektin “Të përmirësojmë nivelin e pjesëmarrjes së publikut të ndikuar në vendimmarrjet për mjedisin”. Ky projekt u zbatua në kuadër të Fondit Special Holandez 2 - “Projekte Mjedisore me Nisma Vendore”. Në të gjashtë rajonet e Elbasanit u zhvilluan workshop-e, gjatë të cilëve një ekspert mjedisi dhe një jurist shpjeguan përmbajtjen e Konventës së Aarhusit dhe pjesë të legjislacionit mjedisor, duke trajnuar kështu 90 persona të grupmoshave e profesioneve të ndryshme përfshi këtu edhe një pjesë të administratës vendore. Puna teorike u gërshetua edhe me ushtrime praktike dhe konkretisht në vlerësimin e situatës mjedisore të rajoneve të pjesëmarrësve në takim, në listimin e problematikave mjedisore, duke nxjerrë prioritetet e çdo rajoni. Persona të trajnuar në këto workshop-e u bënë pjesëmarrës aktivë gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje organizuar dhe zhvilluar nga Bashkia Elbasan dhe si të tillë u arrit që mjaft prej problemeve të dala prej tyre të përfshihen në prioritetet e zhvillimeve të rajonit përkatës. Me mjaft interes ishte pjesëmarrja e disa prej këtyre personave të trajnuar në një inspektim të përbashkët me ARM Qarku Elbasan në kompaninë e prodhimit të çeliqeve, KURUM International sh.p.k.