Shpërthim në minierën e Bulqizës, vdes një minator, plagosen nëntë. RISHM: Shpërthimi, i paparashikueshëm
(E PERDITESUAR) -Një minator ka vdekur dhe nëntë të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit të gazit në një prej puseve të minierës së Bulqizës, ku ata punonin. Minatori i vdekur është Naim Shyti.
Të plagosurit janë dërguar me shpejtësi në ambientet e spitalit të Bulqizës për të marrë mjekimin e nevojshëm. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar disa ambulanca, por dhe helikopterë për transferimin e tyre në Tiranë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Reparti i Inspektim- Shpëtimit të Minierave. Në deklaratën e RISHM thuhet se ka pasur shpërthim hidrogjeni, që është i paparashikueshëm. RISHM disa herë kur minatorët ishin në grevë urie brenda në galeri, kërkoi që ata të dilnin jashtë për shkak se u rrezikohej jeta nga mungesa e kushteve të sigurisë.
Minatorët bënë për rreth tre muaj grevë për përmirësimin e kushteve të punës dhe kompania ACR ra dakord që ta plotësonte këtë kërkesë vetëm pak ditë më parë.