Fagadhat…
Sikur të më kërkonit një përkufizim të fjalës fagadhe, s’do të mundë t’u thoshja hiçë gjë. Sikur të më pyetnit mbasandaj “pse fillon të shkruash një artikull me, një fjalë së cilës s’ja di as vetë kuptimin mirë?”, prapë juve do kishit të drejtë. Po ngjer aty dhe jo më tutje. Sa janë fjalët që ju dhe unë i përdorim pa ja u ditur mirë kuptimin? Të paktën unë mundohem të jem i sinqertë dhe më i këndshëmë duke thënë që në fillim atë që ju s’do t’a thoshit as në fund! Fagadhë. Një fjalë q’e përdorin andej poshtë nga Gjirokastra ku shqipja s’u folkej pastër e ëmbël! Kush ja di kuptimin e vërtetë? Kush është glosolog ndër ne? Me sa di unë, glosologët t’anë janë në Shkodër, n’atë Shkodër të plot-lavdishme në të cilën Shqipja kumbon në të tërë harmonin e saj Ilyrike. Jemi në mëshirën e tyre, pra, për kuptimin dhe rrënjën e kësaj fjale që mund t’a kenë përdorur dhe Helenët. Unë s’merrem me gjuhësi. Dhe as që mundem edhe sikur të donja; por as që pëllcas sepse s’di shumë nga ato punë, qoftë edhe pse s’di kuptimin e plotë të fjalës fagadhë. Ajo që më djeg mua është të di kush dhe ku janë disa gjëra që mund t’i quanim fagadha. Ka qenë një fatkeqësi që nuk gjetnë këtë fjalë në kohën e duhur. Sa kollaj do të ishte marrëveshja? Cila fjalë përmbledh në një të tillë mënyrë madhështore gjithë ç’kemi luftuar na gjer tashti, dmth gjithë ç’është prapanike, e shëmtuar dhe e ndyrë. Po prapë mirë, sado vonë. Këndoj një levere pleqsh të thinjur që kanë qejf të rrojnë edhe aqë sa kanë rrojtur dhe që përpiqen q’edhe të tjerët të rrojnë si ata, dhe përnjëherësh m’erdh në mënt fjala fagadhë…dhe u gazova shumë. Kemi kaqë fagadha në mes t’onë dhe s’u gjenim dot emërin.
Po ç’janë fagadhat? Ku rrojnë? Kush i njeh?
E di dhe unë bashkë me tyj se është më kollaj të pyesë njeriu se sa të përgjigjet. Për këtë herë le t’ i lëmë mënjanë pyetjet. Është detyra ime të them gjithë ç’di mbi fjalën fagadhë. Dhe do t’a përsërit dëndur, se më vjen hosh. Fjala fagadhë nuk përdoret kurrë vetëm fill po thuhet, për shëmbëll “ah, ç’fagadh e butë q’është! Etj.” mënyrë shprehje këjo, që të lë të kuptohet, tërthurazi, se do të ket edhe fagadha t’egëra. Të cilat besoj do të jenë ato që italianët i quajnë “monstro” dhe për të cilat në Shkodër është gjendur dhe një fjal e vjetër shqipe, në mos gaboj, përbindësh.
Ndryshimi?
Fagadh e egër do të jetë një kafsh e çuditëshme, fantastike që të sulmon dhe copëton përnjiherësh e pa pritur. Logjikisht, fagadha e butë do të jet e kundërta; domethën, një gjë e keqe që të çkallmon me një process të ngadalshëm dhe pa e kuptuar.
Si janë zbutur fagadhat?
Pyetje naïve kjo. Çdo gjë e gjallë ka qenë e egër dhe pastaj u zbut. Edhe ç’nuk është zbutur akoma do të zbutet. Kështu edhe fagadhat. Evolucioni është fagadha e të gjithë fagadhave… U zbutnë aq shumë sa s’njihen më. Ndruan fytyrë edhe formë. Ndruan edhe gjuhën. Ndruan nga çdo pikëpamje, aqë sa mund të rrinë edhe në mes t’onë, sa do që s’i kemi sigurisht shokë, dhe të mos i njohim. Thonë se gjendet një lloj krokodili që jeton në pyllishtet e dëndura afrikane, i cili mshihet dhe nxier zëra që shëmbëllejnë plotësisht me të qarët e një foshnje. Natyrisht ngjer sa të gënjehesh dhe t’u afrohesh, pastaj të punojnë zanatin… se zanati i vjetër nuk harohet. Kështu ngjet edhe me fagadhat. Duken t’ëmbla, sympathike, mirë-dashëse, mëshirë-plotë…ngjer sa të vënë në dorë. Shkruajmë për qejf e pra s’jemi të shtrënguar t’i themi lopatës, lopatë. Duam të jemi letrarë, që domethënë hypokritë. Akoma s’ka ardhur koha në të cilën edhe ndër ne e bukura dhe e dobishmeja t’i lënë kryevëndin së Vërtetës.
Borealis.