Shpërthim pranë një restoranti në Moskë, të paktën 3 të vdekur dhe 21 të plagosur

Të paktën tre persona humbën jetën dhe 21 të tjerë mbetën të plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm pranë një restoranti italian në qendër të Moskës.
Ngjarja ndodhi në sheshin Kudrinskaya, pranë qendrës së kryeqytetit rus.
Sipas Komitetit Kombëtar Antiterrorist të Rusisë, një grua që mbante një pajisje shpërthyese të improvizuar u përpoq të hynte në restorantin Balzi Rossi, por u ndalua nga një roje sigurie. Në atë moment eksplozivi shpërtheu, duke vrarë gruan, rojen e sigurisë dhe një klient që ndodhej në restorant, ku po zhvillohej një aktivitet privat.
Autoritetet ruse nuk kanë bërë të ditur ende se kush mund të ketë qenë objektivi i sulmit.
Megjithatë, në Moskë po qarkullojnë dyshime se shpërthimi mund të ketë lidhje me luftën në Ukrainë.
Gjatë viteve të fundit, disa figura të larta ushtarake ruse janë vrarë në Moskë dhe zonat përreth, ndërsa Kremlini ka akuzuar vazhdimisht Kievin për këto atentate.
Pranë vendit të ngjarjes ishin mbledhur dhjetëra çiklistë për një xhiro të planifikuar në mbrëmje, por aktiviteti u anulua menjëherë pas shpërthimit.
Restoranti ndodhet në një nga rrokaqiejt e njohur të epokës së Stalinit në Moskë. Pas shpërthimit, policia bllokoi përkohësisht rrugët përreth sheshit për të lehtësuar operacionet e emergjencës dhe hetimet.
/rtsh.al/