PS: Rritja e akcizave do të shtrenjtojë koston e jetesës
Meksi reagon pas vendimit të qeverisë për rritjen e akcizës për një grup mallrash dhe shpenzimeve publike
Vendimi i qeverisë për rritjen e akcizës për një kategori të caktuar mallrash është cilësuar si veprim arrogant nga Partia Socialiste. Ish-ministrja e Ekonomisë, Ermelinda Meksi, ka bërë publike ndikimet negative që do të sjellë zbatimi i këtij vendimi.
Ajo theksoi se kemi të bëjmë me një vendim i cili duket qartë që ka të bëjë me nevoja të ngutshme, pas një fushate të stërgjatë dhe të shtrenjtë, faturën e së cilës do ta paguajnë bizneset e ligjshëm dhe qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.
"Në kundërshtim me premtimet elektorale për taksa të ulëta kjo rritje e barrës fiskale që propozohet, pavarësisht ndonjë nxitjeje të përkohshme të tregtimit të artikujve të akcizës për të shfrytëzuar kohën para aprovimit në parlament të këtij ndryshimi, do të sjellë rritjen e çmimeve dhe rënien e kërkesës për produkte, çka do të ndikojë në përkeqësimin e treguesve ekonomikë dhe në veçanti të papunësisë"-, tha Meksi.
Më tej ajo ka vijuar duke vënë në dukje faktin se ky veprim shkon në kah krejt të kundërt me atë çka është e nevojshme të bëhet në këtë situatë, pasi vazhdimi i investimeve publike me kosto të lartë, në një periudhë që ka një ulje të të ardhurave buxhetore tregon që jemi në një rrugë pa krye.
"Rruga e ndjekur për vazhdimin me kokëfortësi të investimeve galopante në kushtet e rënies të të ardhurave buxhetore, rritja e deficitit buxhetor, borxhit publik dhe tashme rritjes të tatim- taksave është një alternativë pa krye dhe përgjigjja më e keqe në kushtet kur vendi po ndien thellë efektet e krizës globale ekonomike. Deficiti buxhetor është rritur nga një muaj në tjetrin, nga - 3.7 miliardë në mars, në 9.8 miliardë në prill dhe -20.2 miliardë në Maj.
Sipas të dhënave për pesëmujorin e parë të këtij viti të krahasuara me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, shpenzimet buxhetore janë rritur me 33 %, ku investimet janë shtuar si asnjëherë 135%, ndërsa të ardhurat buxhetore vetëm me 8.9%"- u shpreh Meksi.
Duke iu referuar treguesve që sipas saj tregojnë një rritje të deficitit, deputetja socialiste theksoi se, cilido qeveritar i përgjegjshëm do ta kishte të vështirë të tregohej euforik përballë të dhënave shqetësuese që kanë sjellë rritjen e deficitit buxhetor si pesë-mujor në minus 20.2 miliardë lekë përkundrejt suficitit prej plus 5,9 miliardë lekë që kishim një vit më parë.