E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shpërthimi në Stamboll, Begaj: Dënojmë aktin, jemi pranë Turqisë! Stolteberg: NATO në krah të aleatit tonë

Shpërthimi në sheshin Taksim në Stamboll që u mori jetën të paktën 6 personave dhe la me dhjetëra të plagosur ka sjellë reagime të politikës shqiptare dhe botërore.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për humbjen e jetëve të qytetarëve nga shpërthimi në Stamboll. Begaj dënon aktin e tmerrshëm, ndërsa tha se Shqipëria qëndron pranë Turqisë.

“Lutjet tona janë për familjet e viktimave dhe të plagosurve nga shpërthimi vdekjeprurës në Stamboll, këtë pasdite. Të tronditur nga kjo tragjedi, ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe dënojmë çdo akt që synon cenimin e njerëzve të pafajshëm”, shkruan Begaj.

Edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka e ka cilësuar lajmin tronditës, ndërsa thekson se me informacionet paraprake nuk ka asnjë shqiptar të lënduar nga shpërthimet.

“Shokues shpërthimi në sheshin Taksim në Stamboll, Turqi. Lutjet  tona shkojnë për familjet e atyre që humben jetën dhe shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këtë ditë të dhimbshme. Ndërkohë, përmes Konsullatës së Përgjithshme të RSH në Stamboll bëhet e ditur se deri nuk ka raportime për shqiptarë të lënduar, ndërsa është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet turke”, shkruan Xhaçka.

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se shpërthimi në Turqi ishte tronditës dhe se NATO qëndron në solidaritet me aleatin e saj.

“Pamje tronditëse nga Stambolli. Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe për popullin turk. NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turqinë”, shkruan Stoltenberg në twitter.

Shpërthim i fuqishëm ndodhi në rrugën Beyoğlu Istiklal pranë sheshit Taksim në Stamboll pasditen e 13 nëntorit, ku kanë humbur jetën 6 persona dhe janë plagosur 81 të tjerë. Presidenti turk Erdogan e cilësoi sulmin si terrorist dhe tha se autorët do marrin dënimin që meritojnë.

Dënimi i sulmit që mori jetë të pafajshme u bë edhe nga kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave e popullit turk, ndërsa tha se  Greqia dënon pa mëdyshje çdo formë terrorizmi

“I tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i sulmit të tmerrshëm në Turqi. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve dhe shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave, Presidentin Erdogan dhe popullin turk. Greqia dënon pa mëdyshje çdo formë terrorizmi”, shkruan Mitsotakis në Twitter.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›