E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shpërthimi në kanalin e ujit, KFOR dhe EULEX monitorojnë situatën në Varage të Zubin Potokut

PRISHTINE, 30 nëntor/ATSH/ Pjesëtarë të KFOR-it hungarez, të EULEX-it, karabinierë italianë, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë duke monitoruar për së afërmi situatën në Varage të Zubin Potokut.

Gjendja këtu paraqitet e qetë dhe më stabile, pas riparimit të tubave të ujit.

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi.

Kjo u bë pasi gjatë ditëve të fundit pati disa incidente.

Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar thuhet se janë prapa këtij shpërthimi në veri të vendit.

Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Dëmi u konsiderua serioz dhe u shkaktuan ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia”, tha ai.

Sulmin e 29 nëntorit e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj., pas sulmit në Zubin Potok ku për shkatërrimin e kanalit të Ibër-Lepencit janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv.

Kurse, kryeministri Kurti sot njoftoi se punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve tona po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në sanimin e dëmit të shkaktuar.

E Policia e Kosovës sot po zhvillon një aksion në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut. Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani./KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›