Shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit, Bardhi: Provë që Kosova është vazhdimisht në agresion

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi ka dënuar sulmin në kanalin e Ibër Lepencit në Kosovë, duke e cilësuar si “akt terrorist mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë”.
Nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale, Bardhi thekson se kjo është një provë që Kosova është vazhdimisht në agresion dhe agresorët nuk kanë marrë kurrë ndëshkimin që meritojnë nga komuniteti ndërkombëtar
“Akte të tilla janë një dëshmi e qartë se Serbia jo vetëm nuk është e angazhuar me seriozitet në dialogun normalizues të marrëdhënieve me Kosovën, por vazhdimisht synon destabilitetin e Rajonit dhe minimin e rregullave e ligjeve brenda territorit të Kosovës”, shkruan Bardhi.
Duke dënuar me forcë këtë akt terrorist, Bardhi shton më tej se “mbetemi të palëkundër në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
“Kosova e pavarur dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Europian është një realitet i pakthyeshëm. Aktet destabilizuese nuk mund të triumfojnë kurrë mbi paqen e sigurinë në Rajon dhe as mbi të ardhmen e përbashkët të popujve tanë në familjen europiane”, shkruan Bardhi. /j.p/