E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi tragjik në Athinë, mes viktimave edhe shqiptare

Detaje të reja janë bërë publike nga ngjarja e rëndë në zonën e Plakës në Athinë, ku një shpërthim i fuqishëm shkaktoi shembjen e një pjese të një ndërtese dhe humbjen e jetës së gjashtë personave.

Sipas mediave greke, mes viktimave janë edhe persona me origjinë shqiptare. Ndër të identifikuarit janë Florida Hodja dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, të cilët kishin udhëtuar në Greqi për muajin e mjaltit.

Çifti i sapomartuar kishte marrë me qira një apartament në katin e parë të ndërtesës në rrugën “Lysikratous”, aty ku ndodhi shpërthimi. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, pasaportat në emër të tyre janë gjetur mes rrënojave.

Mes viktimave janë identifikuar gjithashtu Eris Tsani dhe bashkëshortja e tij, Florin Hodja, ndërsa dy viktimat e tjera janë një çift i moshuar që jetonte në katin e dytë të ndërtesës, raporton A2CNN.

Operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar me nxjerrjen e gjashtë trupave nga rrënojat. Ekipet e zjarrfikësve dhe të EMAK-ut punuan për orë të tëra në zonën e shembur, duke përdorur qen kërkim-shpëtimi dhe pajisje speciale për lokalizimin e viktimave.

Shpërthimi ndodhi mëngjesin e së premtes në rrugën “Lysikratous”, në një nga zonat qendrore të Athinës. Për pasojë, një pjesë e ndërtesës u shemb, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të tragjedisë.

Dyshimet paraprake janë përqendruar te mundësia e një rrjedhjeje gazi, por shkaku përfundimtar i shpërthimit pritet të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›