Shpëtim Idrizi betohet në Kuvend: Do zgjidhim çështjen kombëtare
TIRANË(UPDATE)- Shpëtim Idrizi, zgjedhur si deputet i PS-së dhe tashmë përfaqësues i partisë PDU është betuar si deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvendit, Idrizi ka deklaruar se partia që përfaqëson ka qëllim kryesor zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe prioritet çështjen çame.
"Ne synojmë zgjidhjen e çështjes çame dhe do punojmë për t'i dhënë peshën dhe rëndësinë e duhur këtij komuniteti. Ne propozojmë që diplomacia jonë të negociojë amendimet e ligjit grek të vitit 1980, pra ne kërkojmë riatdhesim të të drejtave të humbura dhe jo thjesht kompensim pronash"- tha Idrizi, duke shprehur besimin se kryeministri grek, Papandreu do të zbatojë traditën më të mirë të së majtës greke, duke hequr Shqipërinë nga lista e vendeve armik dhe do t'i japë zgjidhje çështjes çame.
"Nëse ne nuk do shohim përparim në këtë drejtim do i çojmë këto çështje në gjykatën ndërkombëtare"- tha ai, duke shtuar më tej se kërkon miratimin e një rezolute për këtë çështje.
Ndërkaq, nga qeveria shqiptare Idrizi ka kërkuar vendosjen e lapidarit përkujtimor aty ku dergjen eshtrat e mbi 2000 çamëve; akordimin e fondeve për shtëpinë muze për Hasan Tasimit, shtëpi që nga 1997 është e shkatërruar.
Më tej Idrizi ka premtuar bashkëpunim me gjithë deputetet dhe ka dhënë garanci për miratimin e çdo ligji që synon integrimin e vendit. "Busulla jonë është interesi kombëtar dhe për këtë ne do të bashkëpunojmë me të gjithë që kanë të njëjtin interes me ne"- ka thënë ai.
Sipas Idrizit, vendi i opozitës është në parlament dhe për këtë ka sugjeruar që të vendosen kontaktet dhe negociatat mes palëve.
Shpëtimi Idrizi, që u bë deputet nën siglën e PS-së, sot vendosi të lërë bojkotin dhe të shkojë në parlament. Ai krijoi një parti të re një muaj më parë, në mbrojtje të të drejtave çame.
Deputeti Idrizi, garoi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit për Partinë Socialiste, por tre muaj më pas u shkëput prej saj për të krijuar Partinë për Drejtësi dhe Unitet, së bashku me deputetin Dashamir Tahiri nga Partia Drejtësi dhe Integrim.
Në fund të muajit shtator, deputeti Shpëtim Idrizi deklaroi shkëputjen nga Partia Socialiste, ndërsa sot e fakton atë.
Dy deputetët e rinj me partinë e tyre do ti bashkohen koalicionit qeverisës, ku pritet të marrin edhe poste drejtuese.