Shpëtimi i Boorman-it
"Deliverance" (Shpëtimi) një film dramatik i vitit 1972 me regji të John Boorman-it, shfaqet sot në orën 19.00 në kinemanë e Akademisë "Marubi".
Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Burt Reynolds, Ronny Cox, Jon Voight dhe Ned Beatty. Historia e bazuar në romanin më të njëjtin titull të shkrimtarit amerikan James Dickey, është ajo e katër biznesmenëve nga Atlanta të cilët vendosin të lundrojnë në lumin e Xhorxhës së shkretë. Ky vend i largët që djemtë e qytetit e shohin si sfidë për aventura, i vë përballë të papriturash që iu kushtojnë me jetë.
Newë York Times e ka zgjedhur si një nga 100 filmat më të mirë në historinë e kinemasë. Zgjat 109 minuta
Në të njëjtën kinema, nesër në orën 19.00 shfaqet "Plumbi", filmi i radhës në kuadrin e të Premtes së Filmit Spanjoll në Akademinë e Filmit & Multimedias "Marubi". Është një përzgjedhje e filmave më të mirë spanjollë nëpërmjet cikleve tematikë.
"El Bola" (Plmbi), dramë e vitit 2000, i një prej regjisorëve më në zë të kinemasë spanjolle, Achero Manas, është fitues i çmimit "Goya" një lloj Oscari që jepet për kinemanë spanjolle. Zgjat 88 minuta.
Ciklet e tjera të parashikuara për këtë programacion janë Filmat e Carlos Saura, Kinemaja Sociale, Filma me metrazh të shkurtër, Komedi dhe cikli i Realizuesve Katalanë.
----------------------------------------------------------------------------
Ditëlindja e Mendelsonit
Me rastin e 200- vjetorit të lindjes së kompozitorit Felix Mendelsohn Bartholdy dhe të stinës Klask, organizohen në Tiranë dy koncerte. I pari, më 18 shkurt, në orën 19.00 në TOB, një Koncert Trio, me artistët Andreas Reiner (violinë), Pjetër Guralumi (violonçel) dhe Desar Sulejmani (piano).
I dyti, më 21 shkurt në të njëjtën orë, përsëri tek skena e TOB-it, është një koncert me Orkestrën Sinfonike të RTSH, nën drejtimin e Prof. David de Villiers, solist prof. Andreas Reiner (violinë).
Felix Mendelssohn (1809-1847) kompozitori i shquar gjerman, pianist dhe dirigjent, i periudhës së parë romantike. Nip i filozofit Moses Mendelssohn, u lind në një familje hebreje me emër e cila më pas, u konvertua e krishterë. Shkroi simfoni, koncerte, pjesë për piano dhe muzikë dhome.
U desh vërtet një kohë që muzika e tij të rivlerësohet pas denigrimit të familjarëve në një kohë që ndërronin shijet muzikore dhe ndodhte antisemitizmi, në fund të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 200-të. Sot ai përfaqëson një nga kompozitorët më popullorë të periudhës romantike.
-------------------------------------------------------------------------------------------
Trupa e Fierit në "Kolltukun amerikan"
Trupa e Teatrit "Bylis" është gati për 14 shkurtin, për premierën në gjininë e humorit "Kolltuku amerikan". Një aktivitet zyrtar për një festë aspak zyrtare si Shën Valentini. Aktorët Fatmir Xhelili, Todi Llupi, Vasil Vaso, Irion Halili, Doriana Caushaj, Hateme Ruzhdija, ishin duke bërë kalimet e fundit të teksteve të shkruara nga Pëllumb Kulla, me regji të Klajd Markut dhe muzikë nën drejtimin e Robert Hoxhës. "Kolltuku amerikan" është shfaqja e parë për vitin 2009 e Teatrit "Bylis". Sipas drejtuesve të kësaj trupe, janë në proces disa projekte të cilat kulmojnë me projektin e përvitshëm, atë të Festivalit Mbarëkombëtar të Aktrimit "Apollon" që zhvillohet në muajt e pranverës.
"Rosenstrasse" për studentët e italianistikës
Shfaqet sot në orën 14.00 në Departamentin e Italianistikës të Universitetit të Tiranës, filmi "Rosenstrasse" i Margarethe von Trotta-s. Është historia e Hanës e cila ndodhet në një udhëkryq të jetës i provokuar nga e ëma.
Udhëtimi për në Berlin i vajzës e çon përballë Lenës, një grua që kthen në të kaluarën e luftës dhe Holokaustit. Ajo i tregon për një ngjarje që i kishte ndodhur në vitin 1943, kur qindra gra hebreje kishin protestuar kundër deportimit të burrave të tyre. "Rosenstrasse" shfaqet në përkujtim të "Dita e Kujtesës", edhe pse kjo ditë përkon me 27 janarin që tashmë ka kaluar.
--------------------------------------------------------------------------
Skulptori Eduart Karaj ekspozon në galerinë "Kleido"
"Mozaik në hapësire" e ka titulluar skulptori Eduard Karaj ekspozitën vetjake që u hap javën e kaluar në galerinë "Kledio" në Tiranë. Veprat e Karajt janë ndërtuar duke përdorur elemente të thjeshtë gjeometrikë si katrori, rrethi apo copa të vogla plastike, flasin një gjuhë të thjeshtë, të kursyer dhe meditative. Karaj, që ka studiuar skulpturë qeramike në Akademinë e Arteve në Tiranë, ka hapur dhe ka marre pjesë edhe në ekspozita të tjera. Një nga skulpturat e tij është përzgjedhur për fondin e përhershëm te Galerisë.