E Shtunë, 31 Tetor 2026

Persia tek Esenini

Krijimtaria e poetit rus Sergei Esenin është ndikuar edhe nga letërsia perse. Shembulli që sollën në takimin ndërkombëtar në Tiranë studiuesit Anna Rykova dhe Xhevdet Zeka i takon "motiveve perse", dhe sidomos vargjeve nga "Shagane moj Shagane"


Ndikimi që kultura perse ka pasur në vendet e Ballkanit ishte tema kryesore e konferencës "Trashëgimia Kulturore Perse në Ballkan". Rreth 26 studiues paraqitën mendimet e tyre në lidhje me ndikimet që kjo kulturë ka pasur në shumë aspekte të jetës si në letërsi, arkitekturë, fe, etj. Mes gjithë kësaj larmie mendimesh vetëm dy studiues kishin bashkëpunuar për të njëjtën tezë.

Atasheu Kulturor në Ambasadën Ruse Anna Rykova dhe Prof. i Didaktikës Pedagogjike në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Xhevdet Zeka sollën analizën "Esenini dhe ndikimi pers". Studimi i bërë enkas për këtë takim ilustron me shembuj çfarë ka marrë nga kjo kulturë poeti rus Sergey Esenin (Sergej Esenin, 1895-1925) , aq i njohur për lexuesin shqiptar, të paktën mbi 25-vjeçar.


Vëllimi "Motive persiane" me 15 poezi, u ka dhënë dorë studiuesve të argumentojnë "lidhjet persiane" të Eseninit.


Poezia më përfaqësuese dhe që tregon më së miri se çfarë ka marrë Esenini nga letërsia perse është "Shagane, moj Shagane".

Me këtë poezi, sipas dy studiuesve, ai - Esenini njihet për jetën e vrullshme dashurore që pati në jetën e tij të shkurtër, për lidhjet me gra të famshme dhe të bukura - i drejtohet Sashës që ia ka robëruar shpirtin, syzezës, vetullzezës, lekurëfarfurisë me nur princeshe. Ku që në strofën e parë nuk harron t'i kujtojë:

"Nga veriu unë jam, të kam thënë...". Dhe në strofën e dytë Shirazi i Orientit u kundërvihet fushave të pamata të Riazanit kur ai thotë: "Hapësira riaziane ia kalon bukurisë Shiraze...". Dhe nuk vonon shpjegimi: "Sepse jam nga veriu, flokët i kam me thekër.../ Ndaj këndo, moj mikja ime./Veç një herë rron mbi dhe"!

Zeka shpjegon se secila strofë është mbyllur me një unazë që natyrisht të kujton shaminë e kokës që përdorin persianet, të stolisura me rupa dhe temina. (Një persian që këngës ja thotë/Kurrë nga Shirazi s'mund të jetë).

Në të njëjtën kohë, motivet poetike duke u gërshetuar dhe bashkërendur të ndërmendin qilimat persianë me motive të spikatura që qëndrojnë veçmas, por njëherazi shkrihen në një të tërë të harmonishme.



"Po kur shterr kjo vlagë krejt, dhe zemra,/Mbetet si një shkëmb floriri i shkretë?/Vetëm hënë e Teheranit këngës /S'mund t'i japë ngrohtësi dhe jetë...".
Më tej Prof. Zeka tregon më shumë për elmentet që Esenini ka marrë nga letërsia perse.


Ku jeni bazuar për këtë aspekt të lidhjeve persiane që ka krijuar pak poezi nga ajo krijimtari e gjërë që ka Sergej Esenini?

Tek vëllimi poetik "Motive persiane". Duhet të dini një fakt se Irani dhe Turqia nuk e pranuan asnjëherë Eseninin për shkak te jetës së tij "të shthurur", për mënyrën se si jetonte dhe dashuronte. Ai aktin e vërtetë, mrekullinë pas poezisë "Letër nënës" e ka shkruar tek "Motivet persiane".

Gjithmonë flasim për poezinë lirike, jo për atdheun, patriotizmin, shoqërinë. Në këtë cikël janë rreth 15 poezi (mund të ketë edhe më shumë por kaq kemi gjetur ne), në të cilat ndihet shumë ndikimi pers. Në figurat letrare, në vargje, në rimë, në mënyrën e shprehjes së dashurisë që të kujton "Rubairat" e Khajamit.


Çfarë vendi zë në krijimtarinë e tij ky vëllim poetik?


Këto poezi i ka shkruar në fund të jetës së vet, në fund të vitit 1924 dhe fillim 1925. Në këtë vit ai vdiq, e vranë apo u vra nuk u mor vesh. Vëllimin e ka shkruar në kulmin e pjekurisë së vet. I lodhur nga një dashuri me një amerikane, gjermane, apo perëndimore ndoshta gjeti qetësinë duke iu referuar këtyre motiveve perse. Ndonjëherë negativizmi bën punën e tij. Ai nuk u lejua ta prekte Iranin dhe Turqinë fizikisht por e preku shpirtërisht.

Kur u njoh për herë të parë me poezinë perse?


Mësuesja e parë e Eseninit thuhet të ketë qenë një grua portreti i të cilës shëmbellente me atë të një gruaje iraniane. Në kohën e studimeve ai u njoh më nga afër me kulturën perse dhe poezinë e shkruar në atë gjuhë. Besoj se lidhjet e ngushta i krijoi rreth vitit 1910. Normalisht këto janë vepra që të rrëmbejnë, nuk i kupton se si i lexon.

Cilët janë ato elementë të letërsisë perse që "ka përvetësuar" Esenini?

Nga gjithë ajo pasuri, tre janë elementët thelbësorë që kanë tërhequr vëmendjen e tij. Ai ka bërë krahasimin e pjesës ku ka jetuar në planin gjeografik, e cila krijoi pastaj vargje të pastra për të dhënë ndjenjën për të bukurën, për dashurinë, për lirinë.

Ai merrte Persinë dhe vendlindjen e vet, dhe vendosej vetë në mes. Brenda këtyre gjërave, në hapësirë gjeografike ai krijoi poezi. Ka marrë vargun e shkurtër si tip rubaire.
Gjithashtu ka pasur parasysh elementë të veshjeve dhe të jetës së përditshme, si qilimat, shamitë e grave, sixhadet, ngjyrat, të pirit, gjithë zakonet dhe traditat të cilat i shpreh në poezitë e veta.

Edhe me elementë të thjeshtë, edhe me një varg ai shpreh, nëpërmjet figurave përfytyrimeve të imazheve apo të femrave persiane. Po të shohësh këtë poezi do të vësh re se edhe vargu është i njëjtë si në poezinë perse, AA/BB. Figurat e shumta letrare, sinonime, krahasime, toponimi.

Ai ka krijuar edhe emra. Shpeshherë mbyllte poezitë e veta me një tip unaze një gjysmë hëne e cila është shamia që mbajnë gratë në kokë. Padyshim që edhe qilimi është një element kryesor, Teherani gjithashtu.

Një nga poezitë që ju merrni si shembull është "Shagane". Çfarë do të thotë ky emër?


"Shagane" është një nga poezitë tipike ku ndihet ndikimi i letërsisë perse tek Esenini. Shpeshherë për Shagane-në kanë kujtuar se ishte produkt persian, dhe pothuajse askujt nuk i besohej që ishte një emër i krijuar nga Esenini.

Jo më larg se javën e kaluar kolegë të mi pedagogë e morën vesh këtë fakt dhe nuk e besuan. U detyrova t'u jap versionin në rusisht të poezisë që ta besonin.



Ne qëndruam te "Shagane" edhe për faktin se ajo lidhet edhe me ish- të dashurën vizuale të Eseninit të cilën e la në vendlindje, por asnjëherë nuk u shkëput nga ajo. Esenini në ndryshim nga Pushkini të cilit në dashuri i pëlqenin më shumë marrëdhëniet seksuale, i pëlqente më shumë imazhi i saj.

Në poezi ai dashuronte nga larg. Është i butë, i ëmbël, i freskët, pasionant. Mendoj se te Shagane-ja ai ka arritur të shprehë dashurinë sipas filozofisë, pikëpamjes dhe natyralitetit pers.


Kultura perse sipas studiuesit shqiptar


Fondacioni "Saadi Shirazi" organizoi dje konferencën shkencore "Trashëgimia Kulturore Perse në Ballkan" në kuadër të Vitit Ndërkombëtar të Gjuhëve, viti 2009, i shpallur nga UNESCO. Rreth 26 studiues paraqitën në këtë sesion shkencor njëditor, pikëpamjet e tyre për sa i përket ndikimit të kulturës perse në atë shqiptare dhe kultura të tjera.

Disa nga lektorët që morën pjesë ishin Mark Tirta, Dritan Egro, Lili Sula, Genciana Abazi, Fotaq Andrea, Xhevahir Spahiu, Jorgo Bulo, etj. Temat që trajtuan paraqisnin këndvështrime të ndryshme mbi ndikimi e kulturës perse si:


Kulti i letërsisë në traditën perse dhe ndikimi i tij në kulturën shqiptare përmes bektashizmit, Funksionet protokollare-ceremoniale të persishtes në Perandorinë Osmane, Ndikimi i kodit poetik pers tek disa autorë shqiptarë të viteve 1930-'40, Gruaja perse në mendimin e Dora d'Istrias etj.


Në këtë ditë fondacioni "Saadi Shirazi në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit ekspozuan dokumente dhe dorëshkrime në gjuhën perse.


Drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika, e konsideroi fat faktin që këto dokumente kishin mundur t'i shpëtonin zjarrit që ra në vitin 1967 në arkiv. Po në këtë ditë "Saadi Shirazi" prezantoi edhe dy libra "Historia e letërsisë perse" dhe "Fjalë të urta perse".

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›