E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtimi nga përmbytjet - detyrim kombëtar

Rikthimi i përmbytjeve në rajonin Shkodër–Lezhë po bëhet i zakonshëm. Në janar të vitit 2010 u përmbytën nga ujërat e Drinit dhe të Bunës mbi 30 mijë hektarë tokë. Afro 17 mijë hektarë në zonën e Nënshkodrës dhe pjesa tjetër në rrethin e Lezhës. Në dhjetor të atij viti për të vijuar në janar 2011 u përsërit edhe një herë kjo përmbytje. Në të dyja rastet zgjati dy muaj. Në mars të vitit 2011, sërish përmbytje në zonën e Nënshkodrës, kësaj radhe së paku 10 mijë hektarë. Mars–prilli i vitit në vazhdim (2013) përsëri me përmbytje, 7 mijë hektarë në zonën e Nënshkodrës dhe afërsisht po kaq në Lezhë. Kjo përmbytje është prezente edhe sot!
Dëmet nga këto përmbytje kanë qenë dhe janë kolosale. Megjithëse nga Prefektura e Shkodrës dhe ajo e Lezhës, nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit apo nga Ministria e Brendshme janë dhënë shifra që arrijnë në dhjetëra e dhjetëra milionë euro të vlerës së dëmeve të shkaktuara, faktikisht ato janë më të mëdha. Ketë më mirë se askush tjetër e dinë banorët e këtyre zonave dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Sipas tyre, edhe nëse përmend vlerën prej 100 milionë eurosh, sërish nuk është e plotë. Në një farë mënyre, dëmet që u kanë shkaktuar dhe u shkaktojnë përmbytjet banorëve të zonës së Nënshkodrës dhe fushës së Zadrimës (Lezhë), po vazhdoi ky ritual përmbytjesh, janë të pallogaritshme!
Zona e Nënshkodrës, që vijon me fushën e Zadrimës, është rajoni më pjellor për bujqësinë dhe blegtorinë në vendin tonë, pa folur edhe për resurset shumë të pasura të turizmit dhe agro-turizmit, pemtarisë, vreshtave e ullirit. Në kuptimin e plotë të fjalës është një fushë e paanë, e pandarë, një fushë ku natyra është treguar mjaft bujare për kushte prodhimi të bollshëm në të gjitha stinët e vitit, falë edhe njerëzve punëdashës që jetojnë në 10 njësitë e qeverisjes vendore të kësaj hapësire. Komunat Bushat, Bërdicë, Ana e Malit, Dajç, Velipojë, Guri i Zi e Bashkia Vau Dejës në zonën e Nënshkodrës dhe komunat Blinisht, Dajçi e Balldreni në fushën e Zadrimës. E gjithë sipërfaqja e tokës nën administrimin e këtyre njësive arrin në 61 mijë e 277 hektarë (pjesa dërrmuese e saj bujqësore). E ndarë: 44 mijë e 827 hektarë i përket Nënshkodrës dhe 16 mijë e 450 hektarë, fushës së Zadrimës së bashku me Torovicën.
Në këtë rajon edhe blegtoria është mjaft e zhvilluar. Gjedhët, të imtat, derri, njëthundrakët, shpendët, bletët e tjerë, përbëjnë një ansambël shumë produktiv zhvillimi e prodhimi të produkteve blegtorale. Mbi 40 mijë krerë gjedhë, mbi 50 mijë krerë të imta dhe mbi 300 mijë krerë shpend, është një pjesë e pasurisë blegtorale të këtij rajoni.
Popullsia që banon në këtë rajon arrin në rreth 110 mijë banorë në më shumë se 25 mijë familje (mbi 80 mijë banorë në 7 komunat e Nënshkodrës me 70 fshatra dhe afro 30 mijë banorë në tri komunat e fushës së Zadrimës me 22 fshatra ). Siç e përmendëm edhe pak më lart, është një popullsi mjaft punëtore dhe e lidhur ngushtë me bujqësinë e blegtorinë, pasi për shekuj me radhë e deri në ditët e sotme këta sektorë kanë qenë burimi kryesor i jetesës për gjithë këtë zonë. E jo vetëm kaq, por për sasinë e madhe të prodhimeve bujqësore e blegtorale, është konsideruar me kohë si një pjesë shumë e rëndësishme e hambarit të Shqipërisë.
I sollëm në mënyrë të përmbledhur këto të dhëna me qëllim që lexuesi të ketë një ide më të qartë për këtë zonë, mbi të cilën fatkeqësisht rreziku i përmbytjeve qëndron si shpata e Demokleut! Kaq e vërtetë është kjo, saqë banimi dhe jetesa kanë ardhur duke u bërë gjithnjë e më të pasigurta! Pjesa dërrmuese e banorëve të Nënshkodrës dhe fushës së Zadrimës, nga muaji tetor dhe deri në prill, 7 muaj gjatë 12 muajve, qëndrojnë nën ankthin e përmbytjes. Përgatiten të mbjellin, por nuk mund të mbjellin, ose edhe kur arrijnë të mbjellin, nuk kanë se çfarë të korrin, pasi përmbytjet u dëmtojnë gjithçka. Bjerrë kështu në mënyrë rituale, vit pas viti, mundi dhe djersa e tyre, bjerrë edhe mundi e djersa e mijëra emigrantëve që punojnë në vende të ndryshme të botës dhe sjellin këtu të ardhurat e tyre për të ndërtuar shtëpitë, fermat, agrobizneset e tjerë. Të gjitha këto përpihen brenda pak ditëve nga përmbytjet! Zona më e begatë për jetesë (mbi 70 % e shtëpive deri në 4 kate të ndërtuara të reja gjatë këtyre 20 viteve), po rrezikohet të kthehet nga përmbytjet në një zonë inertesh e shtrati lumenjsh dhe moçalishte! Kjo duhet pohuar me të madhe, pasi nuk do të jetë e largët dita që Nënshkodra dhe fusha e Zadrimës të kthehen në toka inproduktive, pa mundësi prodhimi, jetese e banimi, nëse nuk ndërhyhet shpejt dhe njëherë e mirë për të evituar rrezikun nga përmbytjet.
Duke filluar nga dhjetori i vitit 2010 e në vazhdim, përmbytjet e kanë dhëne alarmin për këtë kërcënim me pasoja shumë të rënda jo vetëm për Shkodrën dhe Lezhën, por për mbarë vendin. Lumenjtë që rrezikojnë këtë rajon nuk komandohen me frymën e shenjtë. Edhe Drini, edhe Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna, edhe lumi i Kirit edhe lumi i Gjadrit, sa herë do të dalin nga shtrati, do të vazhdojnë të përhapen fushave të Nënshkodrës dhe Zadrimës. Ky është realiteti!
Nuk mund të mohohet se gjatë këtyre viteve janë bërë përpjekje për disa investime në rikonstruksionin e objekteve që të mund të minimizojnë përmbytjet, apo edhe shtimin e këtyre objekteve. Por këto investime kanë qenë të pakta, më mirë të themi të papërfillshme, në krahasim me ato që janë mëse të domosdoshme. Vërtetë me ngritjen e hidrocentraleve në kaskadën e Drinit dhe bonifikimin e Nënshkodrës dhe të Lezhës, u evituan përmbytjet në këtë rajon, mirëpo kjo i përket të kaluarës së para 20 viteve. Tranzicioni mbi 20-vjeçar goditi ashpër edhe në veprat bonifikuese e sistemin e disiplinimit të ujërave. Mjafton kaq sa për kujtesë, pasi nuk ia vlen të humbët kohë me historira. Fakt është se gjendja e krijuar është tejet alarmante dhe me rrezik edhe për dizintegrimin fizik të territorit të vendit. Nuk mund të mos kujtojmë se mespërmes këtij rajoni kalon superstrada Veri–Jug ose anasjelltas, e vetmja arterie tokësore, që e lidh vendin tonë me Europën. Gjithashtu edhe linja hekurudhore shqiptare që vijon në Europë, përmes këtij rajoni kalon. Që të dyja këto janë të rrezikuara nga përmbytjet. Larg qoftë, në gjendjen e sotme, mjaftojnë edhe një ose dy herë të përsëriten përmbytjet e vitit 2010–2011, dhe Bahçallëku përtej Drinit në hyrje të qytetit të Shkodrës rrezikon të përfundojë në detin Adriatik. E mos ardhtë kurrë ajo ditë, pasi qytetit të Shkodrës e Malësisë së Madhe vetëm një rrugë tokësore u mbetet të lidhen me pjesën tjetër të vendit, rruga nga Guri i Zi, një rrugë kjo e nivelit të tretë me standardet e rrugëve shqiptare!
Prandaj, ndërhyrja sa më parë për ta shpëtuar Nënshkodrën dhe fushën e Zadrimës nga përmbytjet nuk është aspak e tepërt të vlerësohet si kryeprioritet me investime nga Qeveria shqiptare. Biles, kjo meriton të konceptohet si detyrim imediat kombëtar, duke filluar nga Kuvendi i Shqipërisë, qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, që kanë detyrime në këtë drejtim. Janë bërë mjaft debate të karakterit politik e teknik për këtë çështje gjatë këtyre 20 viteve të fundit, janë shpallur shumë e shumë vendime, janë bërë shumë e shumë premtime, janë nënshkruar edhe marrëveshje me të huajt. Është përmendur me mijëra herë nevoja për thellimin e lumit Buna e sistemimin e tij, dhe bile për ta kthyer edhe në të lundrueshëm nga Shkodra në detin Adriatik, është përmendur me mijëra herë nevoja për pastrimin e Liqenit të Shkodrës janë përmendur me mijëra herë shumë e shumë objekte të tjera bonifikuese në këtë zonë, për të cilat nuk është e nevojshme të zgjatemi. Por përfundimisht, deri më sot ndërhyrjet kanë qënë sporadike ku edhe investimet e bëra, në jo pak raste janë dëmtuar nga përmbytjet e radhës.
Për shpëtimin e këtij rajoni nga përmbytjet, kështu si deri më sot, duke u kujtuar vetë lumenjtë dalin nga shtrati e uji pushton shtëpitë, nuk mund të vazhdohet më. Kërkohet zbatimi i një projekti tërësor antipërmbytje për këtë rajon, me qëllim që njëherë e mirë të mbrohen nga përmbytjet fusha e Nënshkodrës dhe e Zadrimës, të kthehet siguria e banimit, e jetesës dhe mundit e djersës për të prodhuar e gëzuar.
A është gati ky projekt? Po, në letra ky projekt është gati! E veçanta e tij, sipas specialistëve të basenit ujor të veriut të vendit tonë me qendër në Shkodër, është se zgjidh në mënyre tërësore problematiken që ka të bëjë me përmbytjet në rajonin Shkodër–Lezhë, përforcon edhe mbrojtjen e qytetit të Shkodrës nga rreziku i lumit të Kirit, shpëton qendrat e banuara dhe infrastrukturën në kompleks, nuk është më problem shkarkimi i ujërave të çdo sasie qofshin nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit, e gjithashtu sistemohet e bëhet funksional edhe rrjeti vaditjes dhe kullimit.
Për zbatimin e këtij projekti nevojitet një financim prej 56 milionë EURO. Duket se është pikërisht shuma e këtij financimi që bën të hezitohet për fillimin nga puna! Në pamjen e parë duket një financim i konsiderueshëm. Por duke pasur në konsideratë të gjitha ato që kemi parashtruar në këtë shkrim e shumë e shumë të tjera, që nuk po i përmendim për të mos u zgjatur dhe që specialistët do t’i theksonin ku e ku më mirë nga ne, financimi prej 56 milionë eurosh nuk është asgjë në raport me përfitimet që burojnë që në vitin e parë nga zbatimi i këtij projekti. Për këtë arsye na duket mëse e domosdoshme që të vlerësohet me përgjegjësinë e një detyrimi kombëtar organizimi pa humbur kohë i punës për ta mbrojtur rajonin Shkodër–Lezhë nga përmbytjet dhe akordimin që këtë vit të financimit prej 56 milionë euro, për të filluar zbatimi i këtij projekti në të gjithë hapësirën e këtij rajoni, siç është paraparë, nga qyteti i Shkodrës dhe deri në Balldre të Lezhës e nga Vau Dejës deri në Velipojë. Ndryshe, nëse qëndrohet me sytë nga qielli, me shpresën se nuk do të bjeri shi, përmbytjet do të bëjnë çdo vit ritualin e radhës me dëme gjithnjë e më të mëdha, duke u pasuar me shkatërrimin e jetesës në zonën më pjellore e më të bukur të Shqipërisë, ku mund të jetojnë 1 milion banorë.
Ndaj është koha që zëri të ngrihet me forcë në radhë të parë nga drejtuesit e 10 njësive të qeverisjes vendore të Nënshkodrës dhe fushës së Zadrimës, nga bashkia Shkodër e Bashkia Lezhë nga Prefektura Shkodër e Prefektura Lezhë si dhe nga 11 deputetët e Qarkut të Shkodrës e 7 deputetët e Qarkut të Lezhës. Të gjithë këta së bashku në një zë, do t’i bënin një shërbim shumë të madh jo vetëm këtij rajoni, por të gjithë vendit duke kërkuar që me çdo kusht projekti malor antipërmbytje të fillojë menjëherë fuqishëm nga zbatimi në terrenin konkret. Ia vlen, shumë ia vlen që të korrigjohet edhe buxheti i shtetit për këtë vit, me qëllim që fondi i kërkuar të miratohet pa humbur më kohë për këtë projekt, pasi shpresa tek sigurimi i financimeve të huaja nuk favorizohet nga koha e shkurtër që kërkohet. Nesër do të jetë vonë!

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›