Shpëtimtari i vetëm në Batllavë

Një barkë e thjeshtë me vela të drurit përshkon qindra herë liqenin e Batllavës, një liqen artificial që e bën aq madhështor rajonin e Gollapit. Një njeri që tregon më i moshuar se që është në të vërtetë, e drejton barkën sipas dëshirës së pasagjerëve, ndërsa rrudhat në fytyrë ia tregojnë hallet dhe kushtet e rënda të jetës. Përveç që ua bën të këndshëm qëndrimin në liqen shumë qytetarëve, Ymer Bajrami 51-vjeçar, është shpëtimtari i vetëm i liqenit gjigant. Ai i ka shpëtuar trembëdhjetë jetë njerëzish, në momentin kur ata gjendeshin në prag të vdekjes. Ai mban me pietet epitetin e “heroit të Batllavës”, shkruan gazeta Zëri.
Ymeri banon shumë afër Plazhit numër 6 në Orllan. Zanatin prej shpëtimtari, deri në korrik të këtij viti, ai e ka kryer thjesht pa para, por vetëm në mënyrë humane, përderisa tash është punësuar në kompaninë “Pastrimi”, si mirëmbajtës, ndërkaq punën si shpëtimtar ai e bën vullnetarisht.
“Nga viti 1982 e deri më 2001, kam punuar si roje në IMN (Industrinë e Materialit Ndërtimor të Kosovës), që ishte në Prishtinë. Nga aty në vitin 2001, më larguan dhe mbeta pa punë.....”, rrëfen Ymeri përpjekjet e tij për të mbijetuar. Duke jetuar pa punë të rregullt, ai është detyruar ta blejë një barkë me vela për të siguruar të ardhura për familjen e tij shtatanëtarëshe.
E gjatë punës së tij, rastësisht ka hasur në shumë raste ku njerëzit fundoseshin në liqenin e Batllavës. “Qëlloja rastësisht, kur qytetarët ndiheshin në rrezik për jetë. Unë nga atëherë kur kam filluar të punoj këtë punë, kam shpëtuar 13 veta, fëmijë, gra... madje së fundmi i kam shpëtuar dy fëmijë të një avokati, këtu në fshatin tonë... njëri dinte not, derisa tjetri jo. Ata gjendeshin me një dyshek në ujë, por pas pak iu rrëshqet dysheku dhe ranë në thellësi. Rastësisht i kam parë dhe kam vrapuar t’i shpëtoj...”, tregon ai. E derisa këtë punë e ka kryer e vazhdon ta bëjë me shumë vullnet, ai thotë se shumë herë ka qenë në rrezik për jetë.
“Gjatë punës time kam pasur shumë vështirësi, pasi që askush nuk më paguante. Unë shpëtoja jetë njerëzish, përderisa barkun e kisha të thatë... këtë punë e bëja se qëlloja rastësisht këtu dhe kur i shihja në atë gjendje, qëllimi im ishte të shpëtoja njerëz”, tregon ai.
Ymeri tregon se disa vite më herët, (duke mos iu kujtuar në cilin vit), dikush kishte punësuar për një kohë të shkurtër, disa persona të punonin si shpëtimtarë, të cilët paguheshin për një ditë pune nga 15 euro. “Përderisa gjendeshin këtu njerëz që paguheshin si shpëtimtarë, unë përsëri vazhdoja misionin tim të shpëtoja njerëz, edhe atë pa asnjë cent. Madje ka pasur raste, që një person si shpëtimtar, rrinte nën hije dhe lexonte gazetë, ndërkaq unë, vrapoja të shpëtoja jetë...”, rrëfen më tutje ai.
Gjatë punës së tij si shpëtimtar, ai tregon se asnjëherë nuk i ka ndodhur t’i vdesë dikush në duar, madje ai është më se i sigurt që sikur shpëtimtarët të ishin në çdo plazh të Liqenit të Batllavës, në gjendje gatishmërie, asnjëherë nuk do të kishte pasur asnjë rast të mbytjeve në ujë, siç po ndodh pothuajse çdo vit, që po ka nga një apo dy raste.
Edhe pse tashmë Ymeri, nga muaji korrik përveç që punon me barkën e tij, që shëtit pushuesit në këtë liqen, madje siç rrëfen ai me shumë siguri, nga muaji korrik i këtij viti, është punësuar me kontratë pune për dy muaj në kompaninë “Pastrimi”, kompani kjo e cila mirëmban ambientin e Liqenit të Batllavës, dhe po ashtu mbledh të hollat në hyrje të liqenit, që është dy euro, dhe bën mbledhjen e pagesave nga qytetarët për t’u vendosur tek çadrat. /Zëri/