E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëton Thesari i Apolonisë

Rreth 30 objekte të zbuluara në Apoloninë antike, restaurohen në Gjermani. Mendohet që t’i përkasin periudhës romake. Nga rastet e rralla që objekte kaq të vogla dhe të çmuara udhëtojnë në mënyrë të ligjshme

Jo vetëm disa objekte të shpëtuara, po edhe më shumë informacion për kohën nga vjen i quajturi thesar i Apolonisë që sapo është kthyer nga procesi i restaurimit i kryer në Gjermani. Janë 27 objekte që u zbuluan në tetor 2007 në një nga dhomat e Teatrit të Apolonisë. Quhet thesar sepse përmban unaza me gurë të qelqtë, karfica, fibula, hallka zinxhiri, sumbulla apo zilka. Të gjitha të bronzta. Një thesar i vërtetë për kohën, por fatkeqësisht tepër të dëmtuara.

Për këtë arsye restautimi i tyre u pa i udhës të bëhej në Gjermani ku u shoqëruan me gjithë dokumentacionin e duhur, nga shefi i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, Frederik Stamati. Mbi to u punua intensivisht për dy javë dhe u arrit rezultat i kënaqshëm. Kur objektet dolën në dritë, gjatë ekspeditës së fundit shqiptaro-gjermane drejtuar nga Burhan Dautaj dhe Bashkim Lahaj, u mendua se thesari i përkiste antikitetit të vonë, shek. VI-VIII. Por restaurimi në Gjermani, e shtyn në kohë datimin e objekteve. Një fibulë e ngjashme me ato të Apolonisë, ndodhet në muzeun e Butrintit dhe i takon shek. I, ndaj mendohet që edhe thesari në fjalë t’i përkasë pikërisht kësaj periudhe. Megjithatë, Stamati thotë se objektet tashmë do t’iu dorëzohen arkeologëve të cilët do të bëjnë studime më të detajuara, përsa i takon edhe datimit. Objektet nisën të restaurohen fillimisht në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë, por u konstatua se bëhej fjalë për një nga rastet më të vështira të paraqitura në laborator. Stamati tregon se procesi i korozionit ishte shumë i avancuar dhe fillimisht ishte e pakuptueshme, duke krahasuar me objektet e tjera të gjetura në Apoloni e që paraqiteshin në një gjendje shumë më të mirë. “Ka mundësi që kjo të ketë ardhur për shkak të terrenit, i cili mban shumë ujë”.

Procesi i korozionit ka qenë i fuqishëm nën tokë dhe ka shkaktuar copëtimin e objektit. Kështu që kërkohej një punë shumë më e specializuar. Duke qenë se ekspedita në Apoloni u organizua në bashkëpunim me arkeologë gjermanë, u vendos që objektet të dërgoheshin në Gjermani, në laboratorin e Muzeut Qendror të Romanistiko Gjermanikës në Meinz. Në Gjermani udhëtuan edhe dy objekte të tjera, që nuk i përkisnin këtij thesari, një kokë qeni dhe një monedhë, të cilat nuk arritën të restauroheshin, për shkak të dëmtimit të pakthyeshëm. Stamati thotë se ato do të mbeten thjesht si dëshmi e zbulimit dhe asgjë më shumë. Objektet e tjera tashmë duken më qartë. Ato që më parë mendoheshin të ishin sumbulla, pas restaurimit u zbuluan të ishin zilka, me pendule prej hekuri, objekte shumë interesante, të zbuluara për herë të parë në vendin tonë.

Unazat, që gjithashtu përbëjnë një zbulim më vete, për shkak të pranisë së gurit zbukurues, kanë dalë në dritë. Njëra ka një gem blu ku dallohet edhe një motiv, që në plastelinë lë gjurmën e qartë të një femre nudo, të shtrirë në shtrat. Imazhi është tepër i qartë, madje figura është realizuar me një finesë të rrallë. Nuk bëhet fjalë për imazhin e ndonjë perëndeshe, por janë zbukurime që duket të kenë qenë në modë. Në serinë e unazave janë edhe 3 të tjera, gurët e të cilave nuk gjenden. Ato kanë të njëjtat përmasa me unazën me gurë të qelqtë, që tregojnë se kanë qenë objektet e zbukurimit të të njëjtit person. Jo më pak interesante paraqiten edhe objektet e tjera, motivet e të cilave tashmë kanë dalë më në dritë.

Të gjitha janë punime shumë delikate, të cilat rrezikonin të shkatërroheshin nëse nuk do të ishin restauruar jashtë vendit.

Stamati thotë se udhëtimi në Gjermani, shërbeu edhe për të parë mungesat teknike dhe në burime njerëzore. Tashmë Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit pranë Qendrës Kombëtare Albanologjike ka mbetur vetëm me dy punonjës. E ardhmja e tij është e dyshimtë.

----------------------------------------------Udhëtim i ligjshëm

“Gjermanët u çuditën”. Kështu e nis bisedën shefi i Laboratorit, Frederik Stamati. Dhe teksa pret të dëgjosh për vlerat e objekteve, ai shpjegon se çudia nuk erdhi për këtë arsye, por sepse këtë herë, bashkangjitur me objektet, ishte edhe dokumentacioni përkatës, duke nisur që nga të dhënat e objekteve, siguracionet, etj. Stamati thotë, se në shumicën e herëve, kur bëhet fjalë për objekte të vogla, ato nxirren jashtë në mënyrë klandestine, xhepave. Dhe kjo ndodh jo vetëm me shqiptarët, edhe me të huajt që preferojnë t’u shpëtojnë ca procedurave dhe pagesave. Në këtë pikë, Stamati thotë se krijuan besimin tek specialistët gjermanë, të cilët “mbajtën një tjetër qëndrim, jo vetëm karshi objekteve, po edhe shoqëruesve të tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›