E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpikjet e fantaksura të lidershipit të opozitës

19-06-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Ankues dhe kërkues lëshimesh, qyshkur në zgjedhjet e 1992-shit populli i nxori jashtë ringut me votë publicitare, Mëkatarët e luftës së klasave, për mbijetesë, u shndërruan nga komunistë në socialistë. Pjesa më e madhe e tyre kishin bërë kërdinë qelive, në “demaskime njerëzish të pafajshëm, si edhe në spiunllëqe për të shtuar privilegjet. Bash këta u bënë të urtë, “humanë”, madje edhe kritikë në njëfarë mënyre kundër diktaturës, sikur të mos kishin qenë vetë në tavë. Shumë prej tyre qénë mëkatarë të sistemit të mëparshëm. Disa  e ndryshuan profesionin në  avokatë, vetëm  se kishin mbaruar fakultetin e jurisprudencës. Madje me çmim të reduktuar, mbronin padinë e ndonjë ish-të përndjekuri politik, të cilit i vuante familja nga reumatizma në bodrumin e lagësht të shtëpisë së vet, në katin e sipërm të së cilës banonte endé titullari i lartë i Komitetit të Partisë! Pak kohë më parë, Ramiz Alia - ndonëse kishte shpallur se Shqipëria nuk ishte as Lindje, as Perëndim, fliste edhe për pluralizëm në mendim! Po kush e gëlltiste dot arlekinizmin e mëkatarit të Tivarit? Duke përfituar nga liria e të folurit me barkun bosh, njerëzit me tru po i kuptonin të dy palët: si enveristët e kamufluar të Ramizit, ashtu edhe anarkistët e Bllokut  që s’ua varnin as prindërve të tyre, se donin qiqra në hell, që në atë kohë. Ndër këta na u shpall si antikomunist me fletë, - që dikur nuk lejoheshin të kishin armë nëpër zbore, se mos ndodhte ndonjë hata,- si ndozot Edi Rama. Ky i kishte hipur kalit fluturak, Pegasos, dhe kërkontë të vriste e të priste veteranët, si edhe të nxirrte jashtë ligjit partitë emërndërruara të diktaturës! Populli, paçka se me mendjen sallatë nga shpëlarja e trurit prej Enverit dhe lakenjve të tij, nuk u besoi as militantëve të zërit të hollë të Mizit, as kalorësit zëtrashë të Pegazos, Edvinit. Ky ia mbathi përtej detit, duke i këputur një të (....rë) atdheut të tij. Gojët e liga (dhe jo vetëm ato)  thoshin se në Paris kashaiste kuajt, meqë kalit të tij mitologjik, Pegasos, i kishin rënë krahët. Për të shprehur talentin e tij si piktor, kishte marrë hua një bunker të ruajtur nga Lufta I Botërore  si relikt historik të cilin, mender jush, e kishte llagavitur me bojëra zifti dhe me ornamente sutienësh dhe të mbathura grash, që kishin zbavitur nja 200 turistë e turiste, sipas një kronike të gazetës “Le Monde”.
***
Pasi folëm për disa shpikje jo shumë fatlume të këtij personazhi si Alqiviadhi i Greqisë së lashtë, tani le ta shohim si politikan, në krye të PS-së, pas vitit 2005. Politikan?  Por ai ka thënë se s’është politikan! E pabesueshme. Sepse asnjë prej kryetarëve të partisë në botë, qofshin të djathtë a të majtë, diktatorial apo demokratik qoftë, nuk e ka thënë një gjë të tillë, që s’ishin politikanë! Por ja që atij i kishte pas dalë mendja mbi gjuhën dhe paskësh thënë (modestia mënjanë), se mëtonte të ishte vizionar! Si tepër e kishte ngritur pazarin! Se vizionarë në të gjithë rruzullin mund të gjesh vetëm një numër sa gishtat e dorës. Meqë i kam përmendur njëherë, sipas një analize të shtypit të huaj, s’është nevoja, besoj, që t’i përsëris këta emra të rrallë. Si kundërthënës i rëndomtë, E. Rama nuk vonoi që të pranonte që ishte politikan, më së fundi. Mbase dikush ia kishte thënë në vesh se në kohët e sotme të mos qenit  politikan një kryetar partie, ta sjell mendimin te uzurpimi i kreut të partisë. Iu kujtua parvënysë ai neni 28 i statutit të PS-së. Iu kujtua edhe se zgjedhjet e vitit 2005 nuk i kishte quajtur të manipuluara. Po të ishin të tilla, do të ishte në interes të Nanos që kryetari i Partisë t’i quante të vjedhura këto zgjedhje! Dhe a do të mundej Edi t’i thoshte:  - Jo, janë të lira e të ndershme? Në 2005-n E. Rama,  me një stazh partie në PS më të vogël se rojtari i selisë së institucionit të PS-së ishte, në raport me kryetarin historik të PS-së, si tetari ndaj gjeneralit! Dhe do të katandisej si njëherë e një kohë të degraduarit nga anëtar efektiv në kandidat. Të ndëshkohej edhe që  shlyente gabimin në punë prodhuese!Le të militonte në dobi të PS-së si një shqiptar i ndershëm!
Pak a shumë, për shkak të këmbënguljes së saj, e kishte pësuar Suzana Gërvalla, bashkëshortja e heroit të pavarësisë së Kosovës, Isuf Gërvallës. Në kohën e terrorit të shfrenuar serb, qé pritur me të gjitha të mirat, në kuptimin që hynte e dilte në familjen perandorake, si në shtëpinë e vet, bashkë me të dy fëmijët e saj.  Kjo i duhej tiranit shqiptar, që “të dukej” prej kosovarëve se tiranit tonë i qante zemra për motrat e tij që kishin mbetur të veja nga regjimi satanik i Titos! Kur Suzana kërkonte të punonte në arkivin e KQ të PPSH-së për historikun e Luftës N.Çlirimtare, si historiane që ishte, Enveri dhe Naxhmija i harruan fasadat e dashamirësisë. Në atë arkiv punonin edhe ish-partizanë të besuar, me dy klasë të Shkolllë së Partisë, që kishin në dorë ngjarjet e vërteta të kohës së luftës. A kishte besim ky çift autokratësh te një patriote e vërtetë?  - Duhet të jesh anëtare partie.- i kishin thënë Enveri dhe Nexhmija.  Është një rregull i arkivit.  –E bëj lutjen që tani, - ishte përgjigjja e Suzanës. Por Enveri i tha se ajo ishte e nderuar dhe patriote për të gjithë shqiptarët, édhe pa qenë në parti! Suzana e kuptoi se ishte një refuzim. Kurse Nexhmija çuditej sesi kjo grua që ishte pritur me aq bujarí (!) ishte futur në proceset demokratike bashkë me fëmijët, përkrah PD-së, kundër diktaturës së Enver-Nexhmijes! Ja, pra, domethënia e urtisë popullore “E gjesh nga mos e pandehsh!”.  Befasia e Suzanës, pa dashur, u ndesh me hilet e Enverit ndaj marrëdhënieve të tij në shitjen e interesave kombëtare, në bashkëveprim me emisarët e Titos!
***
Sa zgjedhje janë bërë pas 2005-s? Të gjitha janë në rritje, në përmirësim, qoftë në listat zgjedhore, qoftë në transparencë elektronike, qoftë në fletëvotimet me karta biometrike. Por, ama, që të thuash se 70 mijë karta të tilla, me shenjat e të gjithë gishtërinjve, e me mjaft indekse të tjera sigurie, janë të falsifikuara, kjo do të ishte një çmendurí. Sepse më lehtësisht do të mund të falsifikoheshin kartëmonedhat në $ ose ne Euro, sesa karta të tilla thuajse të pafalsifikueshme! “Arsyetimet” e E. Ramës, pra, janë të fantazuara. Në fjalorin e shqipes standarde, ajo folja e fundit përkufizohet, në njëjës: “Të shohësh ëndrra me sy hapur”. Ëndrra të tilla janë edhe ato të 20.000 komisionerëve të tij, tradhtarë! Edhe sikur pesë prej tyre të ziheshin në flagrancë e të ndëshkoheshin me vendim gjyqi, megjithatë 19.995 të tjerë do të kishin të drejtën ta padisnin Ramën në gjyq, për fyerje. Madje edhe t’i kërkonin një dëmshpërblim prej 10 eurosh secili. Do të duhej, fukarai i shkretë, të paguante (200.000 – 50)  euro që mund t’i faleshin selisë së Institutit të të Ngujuarve për shkaqe hasmërie. Nuk po flasim, këtu, për fyerjen tjetër që Edi i ka bërë kryetarit historik të PS-së, z. F. Nano. Këtij të fundit shumë herë duhet t’i jetë kujtuar ai lokucioni popullor “U ngritën këmbët t’i bien kokës”!
Por kjo është temë më vete. Njëherë tjetër. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›