Shqetësimi i “Urdhërit të Mjekut”: Vijon largimi i bluzave të bardha, 180 të larguar gjatë 2022

Largimi i mjekëve nga Shqipëria vijon të mbetet një fenomen që nuk po njeh frenim. Ky largim i ka krijuar sistemit shëndetësor boshllëqe jo vetëm nëpër qendrat shëndetësore të rretheve, por edhe në spitalet qendrore në Tiranë.
Të dhënat zyrtare të Urdhrit të Mjekut thonë se vetëm vitin e kaluar u larguan 180 mjekë. Sipas dr. Fatmir Brahimaj jo të gjithë braktisin profesionin në Shqipëri një herë e përgjithmonë.
“Është pak a shumë e njëjta tendencë si vitin e kaluar. Afro 180 mjekë kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë. Por, një pjesë e tyre shkojnë për të ndjekur doktoraturën, frekuetojnë klinika jashtë Shqipërisë, por edhe punësohen pasi në asnjë klinikë jashtë ata nuk mund ta veshin bluzën e bardhë pa pasur certifikatën e sjelljes së mirë që e marrin pranë Urdhrit”, thekson dr. Fatmir Brahimaj.
Dr.Brahimaj shpjegon se nuk është vetëm paga që i josh mjekët për t’u larguar.
“Janë kushtet e punës, është teknologjia e avancuar, siguria në punë, mbrojtja ligjore që kanë. Këtu, vetëm para pak ditësh dhunuan një mjeke në vendin e punës. Mjeku duhet vlerësuar dhe t’i krijohen kushte pune në mënyrë që të qëndrojë në vendin e tij”, shprehet kreu i Urdhrit të Mjekut.
E ndërsa shumë mjekë zgjedhin klinika jashtë Shqipërisë për të siguruar një jetë më të mirë, mjekët e rretheve zgjedhin Tiranën për të punuar.
“Që një mjek të shkojë të punojë në rrethe, nuk mjafton vetëm bonusi i mjekut. Duhen parë të gjitha; strehimi i tij, puna për bashkëshorten, shkollimi i fëmijëve. Kjo duhet parë më me imtësi dhe në kompleksitet”, sugjeron dr. Fatmir Brahimaj.
Sipas publikimeve që ka bërë Federata e Mjekëve Shqiptare në Europë, në 10 vitet e fundit Shqipërisë i kanë ikur 3040 mjekë.
/rtsh.al/