E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqip, sa më bukur shqip!

05-02-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Dikur, në një shkrim, kam vënë në spikamë  ekranin e “Zëri i Amerikës” (Voice of America), që, edhe pse është kanal i huaj televiziv, programin në shqip e paraqitet thuajse më  shqip se sa shqipja e morisë së  ekraneve shqiptare. Këtu nuk është fjala as për fuqinë e ndikimit, as  për teknologjinë, as për buxhetin, as për lehtësinë e thirrjes para kamerave të personaliteteve të rëndësishme dhe as për  zhdërvjelltësinë  në mbulimin e ngjarjeve, aty ku ka lajm. Jo, fjala është për diçka tjetër, dhe për ne: “Zëri i Amerikës” nuk lajthit – ky kanal  televiziv amerikan  u drejtohet shqiptarëve në territoret e tyre (edhe pse të ndarë), të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, të Çamërisë, si dhe shqipfolësve që jetojnë nëpër  këto hapësira apo  të dërguar atje, për të  shërbyer në këtë pjesë të Gadishullit të Ballkanit dhe, pikërisht për këtë, “Zëri i Amerikës”  u paraqitet dhe u flet me shqipe të panakatosur, deri edhe emrat e  personazheve që parakalojnë në programe, i  shkruan  siç shqiptohen në shqip, për të qenë lehtësisht të rrokshëm nga të gjithë shikuesit, pa veçuar as edhe një. Sikur ky kanal, të ndërtonte emisione me “gjuhë hibride”, domethënë të krijonte një sallatë gjuhësore  ku anglisht-shqip e ku shqip-anglisht, menjëherë do të humbte mjaft  shikues në këto hapësira.
Ja, pra, ky është problemi, dhe ndryshimi njëkohësisht: Nëpër ekranet  e televizioneve tona ka pllakosur “gripi anglisht”. Askush nuk ndjehet për diagnostikim dhe përcaktim të  mjeteve për kurim. Shqipërisë po i krijohet një brez i ri anglishtfolës, dhe ky është pasurim intelektual në përkryerje. Nohja shumë e mirë e anglishtes u bëhet zotëruesve një mjet i  mrekullueshëm pune, konkurence, pasurimi të dijeve, përdorimi më lehtësisht të teknologjive më bashkëkohore e mundësi e jashtëzakonshme për komunikim të zhdërvjellët me botën. Është për t’u duartrokitur vendimi qeveritar i dy-tri viteve më parë, që e vendosi anglishten në shkallën e një “gjuhe të dytë zyrtare” pas shqipes, dhe hartimin e programeve mësimore për t’iu përgjigjur këtij synimi të arritshëm.  Popullit tonë të vogël, që mëton ta ketë vendin e vet  të zhvilluar, domosdo i duhet të mësojë gjuhën e fuqisë më të madhe të botës, që ka mbetur aleat përcaktues i  fateve tona qysh prej një shekulli. Por, e gjithë kjo strategji, nuk jep shkas për sjellje të palejueshme, për  shkujdesje me dashje,  për  gjoja modernizëm apo kozmopolitizëm, e të harrohet se kujt u  drejtohen ekranet tona. Është i pakuptimtë dhe  i paarsyetuar, as për nga  paraqitja e as për nga përmbajtja, titullimi  në anglisht i programeve, ndërsa  vijmi në shqip, edhe ai i spërkatur pa ndalim me shtirje kulturore në anglisht, nga drejtues dhe të  thirrur në ato emisione. Syri ka filluar të mësohet, siç përshtatet njeriu edhe me sëmundjen duke menduar “s’kam ç’të bëj”, ndaj  prekja nga ky “grip” nuk ndalet, siç në shqipe e thotë fjala e urtë, “shih rrushi rrushin e piqet”. Disa vite më herët, nuk qe kjo dukuri, por u shfaq  titulli i parë, ndërsa tani merr pultin, ulu një ditë a dy duke lodruar nëpër të gjitha ekranet dhe titujt në anglisht të programeve nuk kanë të sosur. Shumë prej tyre nuk janë ide të lindura në ato televizione, por të huazuara nga kanale të mëdha anglo-amerikane. Ndoshta, i pari fare ka qënë emisioni i titulluar “Insight”. Ai nuk  vazhdoi më  me ikjen e drejtuesit të tij. Por, pas disa vitesh, është rishfaqur në një kanal tjetër. U krijua një kanal televiziv me emërtim në anglisht dhe, më pas, një tjetër kanal, emrin e tij shqip ia përkthyen  dhe tashmë thirret në anglisht. Pas tij edhe një tjetër vetëthirret në anglisht, por ca shikues ia thonë  emrin  në anglisht,  ca e thërrasin në  shqip. Ndërsa janë disa kanale ku gjymtyrë  e emrit të tyre të kompozuar është dhe fjala “News”. Dhe titujt  në anglisht u shtuan, duke u shtuar gjithandej, me këmbënguljen e gazetarëve që i  mbajnë ato programe dhe pronarëve e drejtuesve editorialistë që u duket se ashtu ngjajnë më modernë. Pas emisionit “Fahrenheit”,  nisi “Top Story”; dhe, pa i përmendur kanalet,  vërshuan nëpër to e njëri  pas tjetrit titujt të tjerë në anglisht të programeve: “By Pass Show”, “Fan Club”, “Fun Page”, “Education”, “Dancing with the stars”, ”Big  Brother”, “Voice of Albania”, studio “Voice Room”, “Tonight”, “Flash”, “Show Bizz”, “Elite Business”, “Target”, “Info Point”,  “A Show”, “Select”, “Non Stop”, “Live”, deri dhe për një lajm të rëndësishëm të sapombërritur nxirret titulli “Breaking News”, apo paraqitja e një dokumentarit me titull të papërkthyer, “Divorce Albanian Style”, etj.; diku-diku, edhe orën si kohë, nuk e shkruajnë, përshembull 5 00 dhe 17 00 , por 5 am dhe 5 pm. Ka edhe programe me tituj të gjetur  shqip, por përmbytja  në anglisht i mund ato, sepse përveçse gjenden ende në shumim, përveçse krejt të panevojshëm, përveçse të pakuptueshëm për pjesën dërrmuese të shikuesve, të cilët edhe i shqiptojnë  shëmtueshëm nga që nuk i dinë, janë bërë edhe  të dëmshëm, sepse këmbëngulin të  marrin trajtën e një prirjeje publicistike bashkëkohore. Gjërat duhen ndarë, siç bën “Zëri i Amerikës”: gazetarët e “Voice of America” nuk vuajnë nga papërsosmëria e anglishtes së tyre, por gazetarët e “Zëri i Amerikës” përkujdesen të paraqiten sa më shqip përpara shikuesve të cilëve u drejtohen. Ndër ne, dyshja - editorialistë dhe krijues - vuajnë nga mospërkryerja e anglishtes së tyre (është e kuptueshme, ata nuk kanë studuar në Angli dhe në SHBA) e, palejueshëm rrëshqasin edhe në mospërkryerje të shqipes, disa herë edhe për shkak të mangësive në formimin gjuhësor, por edhe të shtirjes kulturore krejt të panevojshme e të pakërkuar nga kurrkush. Rrugëdalja prej kësaj është e thjeshtë: nëse u duhet t’u drejtohen një numri shikuesish në anglisht - kanalet televizive mund të  krijojnë programet e tyre me përmbledhje lajmesh në anglisht - aty le të shfaqin shkallën e përkryerjes në këtë gjuhë të huaj të madhe e shumë të rëndësishme për ne. Por shikuesit shqiptarë përgjërohen në heshtje: Titulloni dhe flisni shqip, sa më bukur shqip! Kjo nuk është dëshirë, por thirrje  që nuk mund të shpërfillet, sepse bie edhe ndesh me ligjin e epërm - shqipja është gjuha zyrtare e këtij vendi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›