Shqiponjat, korbat dhe dhelprat
Në njërën prej fabulave të tij me titull Korbi që donte të imitonte Shqiponjën, frëngu La Fonten i shekullit XVII tregon se si një ditë pendëziu pa një shkabë (sigurisht njëkrenore) të lëshohej si shigjetë drejt një kopeje me dhen dhe të rrëmbente një qengj që e mbërtheu me kthetra për ta ngritur aty për aty lart e më lart. I frymëzuar nga kjo pamje, ai pati idenë e shkëlqyer të bënte të njëjtën gjë; kështu, pasi ia vuri syrin dashit me këmborë, atij më të majmit, më të bukurit, si të ishte dash kurbani, iu vërsul që nga sipër. Mjerisht, dashi në fjalë ishte shumë i rëndë dhe, për më tepër, korbit iu ngatërruan kthetrat te leshi i kafshës e, me gjithë përpjekjet e dëshpëruara që shpalosi, jo vetëm që nuk e ngriti dot në ajri, por ngeci vetë në kurriz tejet leshtor të viktimës së tij të hamendësuar! Bariu, me të dëgjuar tingullin e këmborës dhe blegërimat e dashit, erdhi me një frymë, e mbërtheu korbin nga qafa dhe e futi në një kafaz për tua shpënë fëmijëve që të zbaviteshin me atë.
Tek rilexoja këtë fabul, më vajti mendja te shqiponjat e te korbat tanë me dy këmbë: Shqipëria nganjëherë më ngjan si një kope dhensh mbi të cilën, herë pas here, lëshohen jo vetëm shqiponja, por edhe korba. Sigurisht, bariun e kësaj kopeje, i cili, në mjaft raste, nuk ka çtu bëjë shqiponjave, e ka gjetur belaja edhe me korbat: janë kaq të shumtë, saqë nuk i del koha ti shpleksë nga kurrizi i dhenve, madje nuk po gjen më as kafaze për ti futur e për tua dhënë fëmijëve tanë që të zbaviten. Do të kisha dashur me gjithë shpirt që ai të arrinte të kapte edhe ndonjë shqiponjë sa për ti frenuar një grimë simotrat e kësaj me qëllim që deshtë, delet e qengjat ti mbeteshin popullit fshatar, por ja që kjo qenka tejet e vështirë: bariu dy duar ka, çtë bëjë më parë me to? Të mjelë delet? Të qethë deshtë? Të kujdeset për qengjat? Të therë ndonjë syresh me raste festat apo kurbanesh? Kështu që, herë pas here, shqiponjat grabitqare përfitojnë për të rrëmbyer qengjat e pafajshëm.
Nga ana tjetër, meqenëse jo të gjithë korbat janë aq leshko sa ata që duan të imitojnë shqiponjat, bariut i duhet të luftojë kundër atyre që, të paktën nën dritën e fabulës Korbi dhe Dhelpra të të njëjtit La Fonten, rrëmbejnë copa nga djathi të cilin stanari, ortaku i bariut tonë, e bën me qumështin që merr nga kopeja. Në këtë fazë punët vijnë e ngatërrohen, sepse në skenë, pikërisht nëpërmjet fabulës Korbi dhe Dhelpra, hyjnë dhelprat, të cilat i lajkatojnë aq shumë korbat me djathë në sqep majë pemëve, saqë këtyre u bien copat e djathit nga sqepat drejt e në gojën e dinakeve. E, pra, çtë bëjë më parë bariu ynë i gjorë? Të ruajë e të mbarështojë kopenë? Të përleshet me shqiponjat? Të merret me korbat e ngatërruar me leshtë e dhenve? Apo të rendë pas dhelprave mashtruese që ua kanë marrë copat e djathit korbave?
Mirëpo e keqja nuk paska të sosur: si të mos mjaftonin tërë këto belara, bariut i bie barra që të ruhet nga përpjekjet dashakeqe të një bariu tjetër, të cilit banorët e fshatit tonë nuk pranuan tia besonin kopenë në fjalë (a mund të lejohet ujku të futet në vathë, qoftë edhe i veshur me lëkurë qengji?). Ky bari pa kope do të dëshironte vërtet të kthehej në shqiponjë për të rrëmbyer ndonjë dash a dele (qengjat nuk i hyjnë në sy, me sa duket), por ja që nuk arrin dot sepse, me gjithë përpjekjet e tij të histerike për tu kthyer në shqiponjë, ai ia del të shndërrohet vetëm në korb! Gjithsesi, është aq i shkathët, sa të mos mbetet në shpinë të dhenve me kthetrat e ngatërruara pas leshit të tyre, ndryshe bariu tjetër do ta kapte, do ta mbyllte në kafaz dhe do tua shpinte fëmijëve tanë për tu argëtuar me të! Nganjëherë ai bariu pa kope i shndërruar në korb ia del mbanë të rrëmbejë ndonjë copë djathë nga stani, por atë ia zhvatin dhelprat lajkatare me lëvizje sociale të integruara. Me këto lloj dhelprash, bariu ynë me kope ka bërë një marrëveshje, sipas së cilës ai përfiton gjysmën e djathit të rrëmbyer nga sqepi i ko(r)bshëm i bariut pa kope, kurse gjysma tepruese i mbetet palës tjetër nënshkruese të marrëveshjes në fjalë.
Së fundi, në mënyrë që të mos i ha hakun askujt dhe aq më pak bariut pa kope, duhet pranuar që ai sikur ka hequr dorë nga orvatjet për tu bërë me dhunë zot i kopesë, por po punon me afsh, ethe e padurim që vitin tjetër tia arrijë paqësisht këtij qëllimi dhe është i bindur që ka për ta fituar davanë, sigurisht po të mos realizohet parashikimi i indianëve Maja sipas kalendarit të tyre të ndjellakeq për të cilin po flitet kaq shumë kohët e fundit…
