E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia kërcënon SHBA-në se do të hidhet në krahët e “Nënës Rusi”

05-02-2012 / Gazeta 55

“Mbështetini politikat tona ndaj Kosovës, përndryshe do instalojmë mburojën raketore ruse” 

Në mungesë të alternativave të pranueshme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën, si dhe e gjendur si ishull i vetmuar në Ballkan për sa i përket pavarësisë së Kosovës, Serbia, e dëshpëruar, po përdor kartën e saj të fundit “Kthim në identiteti” për t’i bërë presion ndërkombëtarëve, se nëse këta të fundit nuk do të mbështesin politikat e saj, ajo do t’i bashkohet mburojës politike dhe raketore ruse 

Zëvendëskryeministri dhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivicia Daçiç, ka thënë se  SHBA duhet të tregojnë më shumë mirëkuptim dhe ndjenja për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, pasi sipas tij, “me politikën aktuale amerikane, Serbia mund të dërgohet në anën tjetër ". “Amerika që ka parim të marrë para sysh situatën në terren, nuk duhet që gjithmonë ta fusë kokën në zall për situatën reale në terren. E situata në terren është se  problemi nuk është zgjidhur dhe se tani është momenti vendimtar a do administrata amerikane të ketë ndjenjë dhe më shumë mirëkuptim për gjërat e drejta për të cilat flet pala serbe”, u ka thënë Daçiç gazetarëve serbë që raportojnë nga SHBA. Ai ka shtuar se gjatë takimeve me kongresistë amerikanë është arritur pajtimi se për Kosovën duhet një zgjidhje afatgjatë duke respektuar popullin serb e shqiptar, porse administrata amerikane po zhvillon politikë sikur çështje e Kosovës të jetë e zgjidhur. “Paramendojeni situatën që në Serbi, ku përkrahja për anëtarësim në BE ka rënë nën 50 për qind, vendoset që shteti nuk dëshiron të hyjë në BE, por dëshiron të ketë marrëdhënie më të afërta me Rusinë”, ka thënë zëvendëskryeministrit serbe duke u pyetur se cili do të ishte interesi i Amerikës që Rusia në një moment të vendosë që në Serbi të instalojë mburojë raketore. “A e ka Amerika interes më të madh a më të vogël? Për këto gjëra askush nuk mendon. Kemi  ardhur te momenti që Serbia nuk mund ta dërgojë veten te qasja pozitive të integrimeve evropiane”, ka thënë Daçiç. “Është e pakuptueshme, ka përfunduar Daçiç, që SHBA si shteti më i fuqishëm i botës dhe Serbia si shteti më i madh i Ballkanit të mos kenë emërtues të përbashkët”.

Tendencë- Tadiç: Nuk i eliminojmë institucionet paralele/Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka thënë se detyra e tij nuk është vetëm bashkëbisedimi me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, “i cili do të ndodhë herët a vonë”, por edhe që t’i bindë për planin e tij për Kosovën ata që e bëjnë politikën ndërkombëtare.

“Gjithçka për të cilën merren vesh shqiptarët në Kosovë dhe serbët në Beograd, mund të zbatohet vetëm nëse fuqitë e mëdha pajtohen për këtë”, ka thënë Tadiç në një intervistë për “Al Jazeera”. “Plani është paraqitur pak a shumë në të gjitha qytetet kryesore, aty ku krijohet politika ndërkombëtare. Përgjigjja nuk është negative, por nuk është as tamam pozitive, ndërsa është mirë se nuk është negative”, ka shtuar Tadiç. Në pyetjen nëse do të pajtohet për të zhdukur institucionet paralele në veri të Kosovës, nëse ky është kusht zyrtar për përparimin e Serbisë në BE, Tadiç ka thënë: “Natyrisht se jo”, duke shtruar pyetjen se “çka janë institucionet paralele”? “Arsimi, kujdesi shëndetësor? Kush mund t’i heq ato, me çfarë përgjegjësie? Që fëmijët të mos shkojnë në shkollë? Në cilën shkollë të shkojnë, te ato të krijuara rishtazi nga Prishtina? Kush do t’ua imponojë fëmijëve serbë ose prindërve të atyre fëmijëve që të shkojnë në ato shkolla, me cilën teknikë do të ndodhë kjo? Le të ma shpjegoj dikush këtë”, thotë Tadiç. Ai theksoi se viteve të fundit është definuar politika me “komponentë të mesme”, sipas së cilës “nuk mohohet deri në ekstrem ajo çka kërkojnë shqiptarët e Kosovës, e as nuk flitet se duhet të përfundojmë menjëherë me Kosovën e ‘të ecim në dritën e ardhmërisë’, sepse kjo politikë ka një gabim sistematik”. “Ne nuk mund të jetojmë në konflikt të ngrirë, sepse ky konflikt herët a vonë do të përshkallëzohet dhe sërish disa njerëz do të humbasin jetën e tyre në disa barrikada apo kushedi se ku... Duhet ta shohim realitetin që të gjejmë zgjidhje praktike dhe qytetarët duhet ta dinë se gjërat nuk mund të zgjidhen brenda nate”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›