Shqipëri – INTERPOL, bashkëpunim i ngushtë në shërbim të sigurisë ndërkombëtare

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola takoi në Paris me presidentin e INTERPOL-it, Lucas Philippe.
Ambasada shqiptare në Francë njoftoi se gjatë bisedës së tyre, ambasadori Tola përgëzoi presidentin Philippe për shtysën dhe dinamikën e re që i ka dhënë Organizatës që nga zgjedhja e tij, dhe riafirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë në ushtrimin e misionit të tij.
“Si anëtare e INTERPOL-it që nga viti 1991, Shqipëria mban bashkëpunim të ngushtë dhe aktiv me Organizatën dhe rrjetin e saj ndërkombëtar, gjë që tregon angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj bashkëpunimit policor ndërkombëtar dhe luftës kundër krimit transnacional”, theksoi ambasada shqiptare.
Sipas ambasadës shqiptare në Francë “cilësia e këtyre marrëdhënieve u ilustrua në mënyrë të dukshme nga pritja në Tiranë, në qershor 2024, e Konferencës Rajonale Evropiane të INTERPOL-it, e cila mblodhi së bashku gati 160 zyrtarë të lartë nga shërbimet policore të 54 vendeve rreth çështjeve kryesore të sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar”.
Më tej vijoi ambasada shqiptare, diskutimet u përqendruan gjithashtu në perspektivat e forcimit të këtij bashkëpunimi. Në këtë kontekst, me shumë interes u ngrit mundësia e një vizite të ardhshme në Shqipëri nga presidenti i INTERPOL-it dhe zyrtarë të tjerë të Organizatës.
/m.q/r.e/a.f/