E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri- Bosnje, marrëveshje për lëvizjen e lirë

Qytetarët shqiptarë, ashtu si edhe ata boshnjakë, do të udhëtojnë pa nevojën e vizave, me të njëjtin regjim që ekziston me Malin e Zi apo me Kosovën. Nuk do të ketë taksa për t'u paguar në kufi. 

TIRANE- Shtohet edhe një vend i rajonit që heq vizat për qytetarët shqiptarë. Tashmë për në Bosnje-Hercegovinë nuk do të nevojitet vizë, pasi qeveria shqiptare me atë boshnjake miratuan marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve. Qytetarët shqiptarë, ashtu si edhe ata boshnjakë, do të udhëtojnë pa nevojën e vizave, me të njëjtin regjim që ekziston me Malin e Zi apo me Kosovën. Nuk do të ketë taksa për t'u paguar në kufi, ashtu siç ekziston regjimi me Maqedoninë. Qytetarët mund të rrinë në vendet përkatëse për tre muaj pa pasur nevojën e vizës, por pa të drejtë punësimi. Nëse u duhet të qëndrojnë më gjatë, atëherë ata duhet të kërkojnë vizë pranë konsullatave të hapura përkatësisht në dy shtetet. Dje qeveria miratoi këtë marrëveshje, tepër e rëndësishme për të dyja palët, kryesisht në shkëmbimet tregtare, ndërkohë që kjo marrëveshje është pjesë e objektivit që në vendet e rajonit të Ballkanit të lëvizin pa viza. Pra krijimin e një sistemi regjimi vizash të njëjtë që Bashkimi Europian ka me vendet anëtare të tij. Gjithashtu, në marrëveshje ekzistojnë dhe sanksione: "Secila palë ka të drejtë të refuzojë hyrjen dhe qëndrimin e atyre shtetasve që konsideron të papranueshëm apo të padëshirueshëm, sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin e tij". Ose përcaktohet se kjo marrëveshje nuk do të zbatohet në rastet "e fatkeqësive natyrore, epidemive apo çështjeve të sigurisë kombëtare dhe të rendit publik".
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›