E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri, arrestohet biznesmeni kosovar Hajdin Sejdia

Është arrestuar biznesmeni kosovar Hajdin Sejdia, bëjnë të ditur burime nga Policia e Shqipërisë për Indeksonline.

Sejdia, i njohur si Mister Hajdini, është ndaluar nga policia e Kukësit pas një urdhëri të ekzekutuar nga policia e këtij qarku për llogari të Interpolit.

Sipas një burimi jo zyrtar ai ka një identitet tjetër duke ndryshuar emrin në Avni Sejdia. Biznesmeni i famshëm nga Kosova, u bë shumë i njohur dhe i lakuar për disa vite edhe në Shqipëri.

Sipas një burimi policor, i dyshuari si Hajdin Sejdia, është në kërkim nga Emiratet e Bashkuara për mashtrim bankar, por nuk jepët asnjë e dhënë tjetër për shkak të asaj që policia e konsideron si sekret hetimor.

Nuk saktësohet se sa është shuma për të cilën biznesmeni kërkohet, pasi policia e ka ndaluar atë thjeshtë për llogari të Interpolit.

Personi që dyshohet se është Hajdin Sejdia ishte duke udhëtuar nga Shqipëria për në Kosovë.

Mister Hajdini është dërguar në spitalin e Kukësit pasi që gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.

Në Tiranë emri i Hajdin Sejdisë u bë vecanërisht i njohur për ‘betejën’ me autoritetet për një sipërfaqe trualli pranë Pallatit të Kulturës që më pas mori emrin ‘Gropa Hajdin Sejdisë’, sipërfaqe kjo që ndodhet tek lulishtja aktuale pas Pallatit të Kulturës dhe që ishte blerë nga Hajdin Sejdia pothuajse 18 vjet më parë për të investuar ndërtimin e një hotel./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›