E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 14 deputetë “çelin kuletën”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët marrin paga të “majme” nuk janë treguar edhe aq zemërgjerë për të kontribuar në blerjen e aparatit mamografik mobil për diagnostikimin e kancerit në gji. Nga 120 deputetë sa numëron legjislativi kosovar, vetëm 14 prej tyre në mënyrë individuale kanë “hapur kuletën”, duke kontribuar në blerjen e këtij aparati, i cili cilësohet tejet i rëndësishëm dhe jetik për gratë e prekura nga kjo sëmundje, shkruan zëri.

Edhe pas gjashtë muajsh qëkur është marrë nisma e Grupit të Grave Deputete në bashkëpunim me gratë e pushtetit lokal për blerjen e mamografit mobil për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, deri më tash janë grumbulluar 152 mijë euro, ndërkaq për blerjen e tij nevojiten nga 300 mijë deri në 500 mijë euro. Kryetarja e Grupit të Grave deputete, Teuta Sahaçiu, tha se ka një përgjigje pozitive nga deputetet që me kontributin e tyre personal të ndihmojnë në blerjen e këtij aparati, megjithatë jo në masë të kënaqshme.

”Nga koha kur është marrë nisma, procesi ka avancuar bukur shumë, ku kemi një përgjigje nga deputetët, por jo ashtu siç kemi pritur. Andaj, nga këtu bëjnë thirrje që me shembujt e tyre personal të ndihmojnë që edhe të tjerët në Kosovë të japin kontributin e tyre”, ka thënë Sahaçiu. Kjo e fundit u ka bërë thirrje të gjithë ligjvënësve kosovarë të cilët kanë mundësi të kontribuojnë, t’i derdhin mjetet e tyre sa më parë që është e mundur, në mënyrë që i gjithë procesi të përfundojë sa më shpejt. “Ne kemi ende nevojë për mbështetje, pasi mjetet e nevojshme ende nuk janë grumbulluar”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra ka folur për rëndësinë e aparatit mamografik mobil për gratë e prekura nga kanceri i gjiri. Ajo ka theksuar se edhe në legjislaturat e kaluara është bërë përpjekje për blerjen e këtij aparati, ndonëse ka shfaqur shpresën se kjo nismë do të përmbyllet në afatin sa më të shpejtë të mundur. “Me këtë mamagrof mobil mundësohet të shkohet në secilin fshat e shtëpi, më qëllim që gratë të kenë mundësi që më kohë ta zbulojnë sëmundjen, e cila çdo ditë e më shumë po merr jetërat e grave”, ka thënë ajo. Deputetja Deliu-Kodra ka shfaqur besimin se edhe deputetët tjerë që kanë premtuar se do të kontribuojnë, do t’i derdhin mjetet e tyre sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që ky aparat aq i rëndësishëm dhe i nevojshëm të sillet në Kosovë.

Deputetët që kanë “hapur kuletën”
Deputetët që kanë kontribuar për blerjen e aparatit mamografik mobil për gratë e prekura nga kanceri i gjirit janë: Teuta Sahaçiu, Blerta Deliu-Kodra, Suzana Novoberdaliu, Alma Lame, Nazane Breca, Justina Shiroka-Pila, Lumnije Morina, Hasime Krasniqi, Salihe Mustafa, Vjollca Krasniqi, Behar Selimi, Armend Zemaj, Fatmir Xhelili, si dhe Anton Çuni. Ndërkaq, Grupi Parlamentar i PDK-së ka kontribuar me 2 mijë euro, ai i LDK-së me 1 mijë e 500 euro, i VV-së 700 euro, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit me 2 mijë euro, Ministria e Integrimit Evropian 10 mijë euro, ajo e Diasporës 5 mijë euro, Zyra e Presidentit gjithashtu 5 mijë euro, Zyra e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Palë Lekajt, me 2 mijë e 500 euro... etj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›