E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri dhe shqipërim i saj në prozën e Idlir Azizit

12/07/2010 Shqipëri dhe shqipërim i saj në prozën e Idlir Azizit

Një konak siç i ka hije traditës! Përveçse trajta e këtij takimi e bisede, ky është vetë modeli i skenës dhe skenarit këtu, në prozën e Azizit. Dhe përndjekja në skenë e asaj tradite oraliteti e ligjërimi antik ballkaniko-shqiptar, kjo është matrica mbi të cilën ngrihet regjia; palosur e shpalosur në një skenë-teatër demokracie me maska demokracie, aty e pas kuintave përtej, e kjo është skenografia. Ku personazhet si prej teatri pirandelian zbresin, rrëzohen e ngatërrohen me spektatorët në plate.

Për të kompensuar “teprinë” ligjërimore, skenografia paraqitet e përmbajtur dhe personazhet këmbehen në dubël-role. Velinat e velura nga shoqëria, (po huazojmë një emërtim aktualiteti fqinjësh, të përpunuar me sherbet vendi) velinat e velura nga shoqëria, pra, janë po ato edhe velinat që velin shoqërinë e alivanosur.

Umberto Eco në një shkrim nga të fundit në shtypin italian, edhe aty të shtypur nga lussuria e berluskonëria e pafre, pyeste: “Pse tu kushtohet këtyre alarmeve një numër reviste që do shkojë te ata që janë tashmë të bindur për rreziqet e demokracisë, porse nuk do lexohet kurrë nga ata që janë të gatshëm ti pranojnë vetëm e vetëm që të mos u mungojë racioni i tyre, tolloni i vëllait të madh të informacioneve nën kontroll, për të cilat aq pak di…”.

Po e zëmë si bishtin e gjarprit, nga fundi i të parës. “Katra” e filmit mbi komunizmin përfundon me një direktivë, por ama prej shterimi romani e pas një analize të gjatë. Përkundër ti qepemi maleve dhe fushave për ti bërë ato lesh me qime, apo ti qepemi maleve dhe kodrave për ngrehina e ngrefosje abuzive, mbyllja e pasthënies apelon për tiu qepur “lëndës kolektive, kujtesës së regjistruar, të vetmes gjë të bërë vërtet me forcat tona, dhe për ti ofruar asaj një shpejtësi që asnjë regjim pasardhës të mos pranojë kollaj”. Ndërsa subjektivisht e për autorin kjo shpejtësi lajmëron dhe një regjim shkrimi, edhe më të përshpejtuar, në romanin që pason – “Mandakall...” një sprint gjuhësor, një kinetikë e kinematikë që meriton studim më vete. E nëse ky moral sado në shërbim të një shoqërie sidoqoftë cenon me vetëdije e zgjedhje mes të dyjave letërsinë e autorit, na mbetet ne që së paku tia njohim këtë sakrificë në favor të një misioni herë-herë edhe direkt për shkak të urgjencës. Ndërsa ndonjë zëri që i ka rënë në sy një “si farë shprehjeje imoraliteti” mjafton ti plaset para syve atributi i letërsisë apo trajtimi i Kunderës mbi artin e romanit, që nuk njeh përcaktime sempliste e jashtëletrare moraliteti apo imoraliteti, pse i vetmi moral i tij është mbërritja e të qenit i tillë, roman.

Dhe po aty, te ai shkrim që cituam pak më sipër, Eco si për ta lidhur shpresën me të vetmen shpresë që mbetet, e që mund e duhet të vijë prej një rezistence intelektuale, na sjell një rresht statistikor, por me moralin përkatës e konkluziv në fund: “Më 1931 fashizmi u imponoi 1200 profesorëve universitarë një betim besnikërie ndaj regjimit. 12 refuzuan. 1188 kishin të drejtë arsyesh të ndryshme e të gjitha të drejta. 12 që thanë jo, shpëtuan nderin e universitetit. Kjo nuk ndryshoi gjë, por të paktën një ditë mund të thuhet se është thënë jo”. Kuptohet, rastësia e numrit apostolik këtu ndoshta ka efektin e vet për ta thënë nevojën së pari nga apostuj të dijes, si dhe besimin ndaj qëndresës. Kjo statistikë na propozon faktikisht të themi ndonjë fjalë mbi prozën “Ti doje të shkruaje një fugë”, vetëm se kështu i bie të kapërcejmë romanin “Mandakall” që personalisht e kam më të afërm e të dashur, e mbase për hir të kësaj dhe rëndësisë, kërkon një trajtim më të plotë se sot. Sido që diçka do të dalë edhe këtu, qoftë për vetë natyrën e vijimësisë që kanë të katër veprat me njëra-tjetrën, si në një kthim ciklik apo një kuadriptik.

“Janë gabimet e vogla e të panumërta ato që formojnë gabimin e madh”- këtë citim nga Imre Kertesz, Azizi e ka vendosur epigrafin që çel një Dosje me inicialet E.H. Pikërisht, një iso hosanaje është edhe emri më i afërt e popullor i gabimit tonë fatal e fatalist popullor. Dhe ato tike verbale janë aty veç metastaza të shtrirjes e nderjes së gabimit vetë. Për të denoncuar të paktën atë lloj gjykimi empirik sipas të cilit njerëzit merren si injorantë, sot më tepër si debilë noterik.

Dosja E.H vërtet ka një start prej Konradi meqë është frymëzuar nga “zemra e errësirës”, por është mjeshtëri shkrimi të fiksosh në letër zërin e sheqerosur nga diabeti, ashtu si teknikat në studiot e mbyllura të RTSH-së që ndrynin në shirita zërin e udhëheqësit. Më i interiorizuar shfaqet vetë Ai, i madhi, sesa sivëllezërit e vegjël të atij lumëmadhi Big Brother: dosja e tij e ka të shkruar: “Dëmi më i madh që i kam sjellë këtij populli që ska qenë kurrë reflektiv dhe vetëkritik, është se Unë i kam hequr aftësinë për tu parë realisht e reaguar konceptualisht ndaj vetes si shoqëri”.

Niçe: “Ka vetëm dy mënyra sjelljeje me historinë: to use or to abuse”! Dallueshëm dhe e deklaruar qysh në krye, kjo tip analize prej letërsie merret gjerë e gjatë me historinë, duke “abuzuar” letrarisht me përdorimin e saj për të shprehur përdorimin faktik abuziv të saj.

Është një frazë sa turistike, aq prej interiori e turinjsh, që vjen nga eksperienca e Nietzches: “Kam bredhur botën, por smë ka zënë syri territore më të shpifura sesa mbi fytyrën e njeriut”. Ndërsa në fakt nga leximi i vijueshëm nuk është e vështirë të ndjesh autorin Azizi që denoncon dhe jo vetëm kaq, por merr në mbrojtje fytyrën e cipën e saj nga ata që zaptojnë territoret për ti shëmtuar edhe më, ndonëse kanë detyrën e kundërt, atë të kurimit, etikës dhe estetizmit.

Calvino tek vepra “Le citta invisibili”: Ferri i të gjallëve nuk është në të ardhmen, nëse ekziston ai është këtu, tani e që jetojmë çdo ditë bashkë në qytet. Ka dy mënyra për të mos e vuajtur: e para të bëhesh pjesë e të mos e dallosh, e dyta të bësh e të frekuentosh ata njerëz që nuk janë ferr; këtyre duhet tu japësh jetë, tu hapësh vend ti ndihmosh të mbijetojnë”.

Kuptohet, se mbijetesa e tyre është edhe shpresa për çlirimin e fytyrës së njeriut dhe territoreve që ia shpifin Niçes në të. Nuk dua të shtyhem në pozita mbi shtjellimin e humanistes në tekstet e Idlirit Azizit, ama të paktën të ngrejë një barrierë ndaj britmave që pres mbi cinizmin deri dhe antihumanist në to.

Kujdes! E thënë me përcaktim prej Swifti, satira është ajo soj pasqyre speciale ku çdocili sheh turinjtë e gjithë të tjerëve në të, veçse jo të tijat. Ndaj janë të paktë ata që ia marrin për keq.

Letërsia jonë nuk mundi ta vijonte inkursionin satirik të ndonjë si “Doktor Gjilpëra”. Jo vetëm prej ndërprerjes, por dhe insistimit dashje pa dashje për këtë. Në një shkrim tani nga fundi, Kadare kategorizonte me postulatin “sulmi ndaj mitologjisë së kombit është sulm ndaj lirisë”. Shumë kategorike dhe e drejtpërdrejtë. Por sa e sa aksione çmitizuese arti e letërsie kanë shpurë pikërisht drejt saj, lirisë! Në fakt është grada e lirisë, sidomos asaj shlirie speciale të shkrimit që i fryn zjarrit të lirisë edhe civilizuese.

Një formë mazokizmi i shton shkrimit të Azizit dobinë e asaj çka teksti synon, jo vetëm nga fakti se historia siç e beson Mazok rrjedh siç ngjizet prej femrave, kujtojmë inskenimin e katër personazheve tek “Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë”, por për nga trajta e dhunës verbale që çliron ndjesi, e prej këtej kuptimësi. Pastaj analiza prej arti kinetik që aty ka iluzionin optik, këtu oralitetin fonetik, një lloj kriptoligjërimi që flet përmes copërave të veta si një bisht i këputur gjarpri, që duke ia njohur veçantinë ripërtëritëse nuk mbetet i vështirë përfytyrimi imediat i korpusit zvarritës.

Ndaj rudimenteve të kinezërisë është vënë në funksion gjuhe qëllimshmëria e keqkuptimit, kërkuar po aq kinezërisht, sipas merakut të filozofisë tao-maoiste: po nuk u turbullua nuk kthjellohet.

Terminologjia e sëmundjes dhe medicinës e artikuluar shkencërisht i mundëson korpusit mendues të regjimit të na jepet i shtrirë, nderur krahë e kofshë, për ti kryer discepsionin anatomik dhe nxjerrë në pah të përbrendshmet. Prozë ku gjuha e shprish rendin eja nradhë të ligjërimit qëllimisht për të qenë faqja e sëmurë e sindromës kolektive dhe kundër retorikës pa voli, dhe duke e kundërshtuar atë po me armët e veta. Padyshim që është dituria dhe interventet teknike, diku edhe në blloqe të papërpunuara letrarisht, si me thënë të pafshehura si të tilla, që lejon analizën të plotësohet, porse pa u ndjerë inkursioni dituror si qëllim në vete, si objektiv. Më parë, diku më përpara në tekst dhe krejt pa u ndjerë si synim, do të jetë sajuar sebepi, nën besimin se letërsia nuk është se ska nevojë për diturinë, kjo dihet, por ama i lypset një farë budallallëku artistik për ti rënë në të çështjes, ose për ta thirrur me emrin e saj. Pra, afër atij përcaktimi cioranian se vetëm inteligjenca kërkon objektiva, budallallëku vetëm sebepe. Në një mision letrar të tillë ku ajo çka së pari tentohet të grisen e shqyhen nga gjuha janë vetë objektivat e një tollovie si punë historie, nuk mund të ishin po objektivat ato që ngrehin artikulimin, por veç sebepet për të objektivizuar çështje. Shqipërinë e paushqyer dikur e të shqyer tani.

Dhe tani do propozoja një interval muzikor! Esenë “tingujt e sërishtjes” që implikon muzikën dhe zhurmat e një shoqërie si paralajmëruese edhe të së ardhmes së shoqërisë, shkruar kur u botua romani i parë, e kam mbyllur me: Dakord, dakord që Orfeu zbuste me muzë e muzikë kafshët dhe bimët; Amfioni, po me muzikë joshte peshqit, shkurt peshkonte; Ariusi i ngrehte me këngë muret e Tebes; Empedokli shëronte muzikalisht të marrët. Po kush do ti bjerë qemanes në një vend ku orfejtë bëhen njësh me kafshë e trungje pemësh?! Kur Amfionët njëjtësohen me peshq, Ariusët bëhen njësh me muret e tyre, Empedoklët njehsohen me të shkarët! E si për ta lënë aty ku nisi këtë fjalosje të zhurmshme, po e përmbyll, mes një sociologjie psikotike siç i ka hije, me një si pjesë për orkestër nga romani i Idlir Azizit “Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë”. (Duke ndërmendur, sërish, që arti, letërsia, kujdestarë e ithtarë të veshit, e thonë më qartë se studimet hibride a psiko-sociologjia). Me një frazë të gjatë ku zëri bën atë avaz që arti e kthen si kolonë zanore të një “filmi” edhe për muzikën, atë që na bëzan të nesërmen. Po tia vëmë veshin:

“...dhe muzikë e përgjithshme dhe o zot i madh muzikë qejfi dhe pale pastaj muzikë kundër stresit dhe normal muzikë me taban dhe muzikë identiteti dhe muzikë integrimi dhe muzikë asociimi dhe muzikë zhurme dhe muzikë provë për ekzistencën... provë ekzistence duke ia kaluar zhurmën tjetrit, edhe vetë janë të ndërtuar nga zhurma, të gjithë janë zhurma e njeri-tjetrit, secili fillon bie dakord pastaj me këtë shëmtinë e përgjithshme... e ke parasysh, kjo shëmtia që është mbeturinë nga para nëntëdhjetës, ajo, kjo shëmtia pa kategori, domethënë që nuk është as e kundërta fare e bukurisë, një shëmti e monizmit apo ku di unë, po që vetëm në demokraci bëhet e dukshme, kjo shëmtia që mezi e mezi ka pritur një demokraci, që ka pritur vetëm një sistem tjetër nga ai ku është kultivuar që të dalë në pah, që të shfaqet krejt si është... ose më saktë një shëmti hibride, si simbiozë normalisht e asaj që nuk ka mundur të bëhet atëherë, me atë që është e vetëkonsakruar tani nga të gjithë, në rang masiv, si ta shpjegoj unë tani, ajo shëmti, si, bie fjala, ku di unë, si ndonjë këngë e pas nëntëdhjetës, e ke parasysh, këngë nga këto pas nëntëdhjetës që ka dalë si kundërshtare e këngës së paranëntëdhjetës...

Alain Ehrenberg: vuajtja njerëzve më e përhapur sot tenton të zhvillohet nisur nga një indigjestion mundësish gjithëfarësoji, në vend të një teprie të ndaluar si ishte dikur. E kjo molepsje e vuajtjes së këtushme, ky discepsion që tentohet të kryhet për ta radikuar vendin me infeksionin, kërkon bisturi e bombardime, brisqe e thika të mprehta. Që nuk është aq kollaj, si çdo operacion, aq më tepër tumoral, e thotë edhe fjalia e mbylljes së librit, a thua se gjer tani është gatitur, kruar e rruar nga leshi dhe qimet vendi i ndërhyrjes së kirurgjisë që bën gati pajisjet: me thikë, më thotë.

Njerëzimi po vetëvendos e instalon veten në monokulturë, po e riprodhon në masë siç kultivon zhardhokët e panxharit, lajmëron Levi Strauss. Pikërisht trajtimi i radikimit të së keqes me anë të një përsëritjeje psallmoide alla de Sade, e që insiston me të njëjtën rrahje çekani ndaj monokulturës (që pushteti e ndjell dhe mbjell për lehtësi korrjeje), si me thënë me të njëjtin shat prashitjeje e troshitjeje për të shkulur pastaj zhardhokun. Kjo është strategjia e zgjedhur ose e vetmja që i shkon për shtat stadit të së keqes këtu. Një skizo troshitëse kundër një frenezie retorike avdalle.

Ngërthimi në lëndën e romanit i inkursionit të shkencave politike, sociologjisë, filozofisë, historiografisë, antropologjisë. Teknikat e përdorura, lëvizjet prej fuge e si një fugë, me mbartje prej lënde melvillei, conradi, becketti, joyce, de sade, vijnë si një gjetje më vete, sidomos në një letërsi si kjo e shqipes aktuale që nuk di të bujt modernitetin që ka zënë rrënjë tashmë prej dyqind vjetësh në letërsinë botërore.

Tek teksti i Idlrit lexuesi ndoshta do pyesë veten si ka mundësi kjo pakuptimësi, por jo e tekstit, aspak, pakuptimësi e gjithë asaj çka ngjet rreth e rrotull, mbetur ashtu, shpesh as e klasifikuar, dhe që gjuha vetëm sa e thotë vorbullueshëm porse krejt qartësisht, e jo rrallë, aq qashtërsisht.

Muze imagjinar brirësh e bishtash të specieve e bëmave të një territori prej 28 mijë metra katrori dhe pickatave anë e rrotull e më tej kur këto tunden e shkunden.

Ndonjë tipar i veçantë, ndonëse jo lehtësisht i spikatshëm? Qerthulli dhe fuga centrifugale, tendenca për konceptualizim të një grade të panjohur më parë, jo sistematik më shumë sesa përmes asaj falses së konceptit, në të cilin siç e thotë Bataille dhe trajton Deleuze, qëndron edhe bukuria dhe efiçenca e vetë konceptit. Paradoksi efikas i bombardimit të konceptit, troshitjes dhe marramendjes së tij, për të nxjerr në pah mrokullat e gjësë në shtratin e analizës dhe operacionit e, më tutje, reanimacionit: Kjo është mirësia e këtij aksioni edhe social-sanitar prej gjuhëzimi letrar.

Një formë ngushëllimi apo justifikimi për autorin meqë gjendet larg këtij vendi të pavëmendshëm: Seferis, këtu afër, kujton: “Michaux më tha se një njeri që ka tre lexues, dhe ma shqiptoi sikur të ishin tre milionë, ky është në të vërtetë një shkrimtar”. Një Patër, Anton Arapi, pat thënë se Shqipërinë do ta shpëtojë zoti, e jona mbet veç përpjekja për me e ul mjerimin dhe shëmtinë e saj.

Po e mbyll këtë fjalë siç hapet njëri prej romaneve të autorit tonë, edhe si një urim për një titull të ri: Një vrimë që hapet në realitet zor se mbyllet…

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›