E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Srebrenicës Berisha e Meta kujtojnë gjenocidin mizor

12/07/2010 Kryeministri Sali Berisha në një mesazh që i ka dërguar homologut të tij boshnjak e ka vlerësuar masakrën e Srebrenicës si gjenocidin më të egër, më mizor pas Luftës së Dytë Botërore. Në mesazhin e tij kreu i qeverisë shqiptare thotë se në këtë masakër masive mbi 8 mijë civilë, burra, gra, fëmijë, të vendosur nën mbrojtjen e trupave të OKB-së u ekzekutuan dhe shfarosën nga falangat e Millosheviçit e Mlladiçit vetëm për përkatësinë etnike dhe besimin e tyre fetar. “Sot në këtë përvjetor zije dhimbja, përgjegjësia, por dhe lëndimi i ndërgjegjes së njerëzimit për këto mijëra e mijëra jetë të pafajshme, të rrëmbyera mizorisht, janë më të mëdha se 15 vjet më parë. Kjo sepse ende autori kryesor, kryexhelati i këtij gjenocidi, Radko Mlladiç, dhe shumica e xhelatëve të saj, gjenden të lirë. Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre dhe OKB-ja drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë vetëm kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë”, - thuhet në këtë mesazh ngushëllimi. Ndërkohë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka marrë pjesë dje në homazhet që po zhvillohen në vendin ku 15 vjet më parë ndodhi masakra e Srebrenicës. Në një deklaratë për medien Meta është shprehur se duhet të vendoset drejtësi e plotë për atë masakër, e cila nuk mund të harrohet asnjëherë. Ai nënvizoi se kërkimet për ish-komandantin e ushtrisë serbe në Bosnjë Radko Mlladiç duhet të finalizohen me kapjen e tij dhe dërgimin para drejtësisë për krimet që ka bërë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›