E Martë, 3 Nëntor 2026

“Shqipëria 2030 në BE”, PS hap sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 Majit

TIRANË, 12 prill/ATSH Partia Socialiste hap sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”

Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama është shprehur se hapja e fushatës më 12 Prill në orën 12:00 do të ketë si simbolikë 12 yjet në flamurin e Bashkimit Europian, kryefjalë i platformës elektorale.

Kreu i PS-së hapi një ditë më parë siparin e fushatës zgjedhore me eventin “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030” me praninë e grave dhe vajzave socialiste të Forumit të Gruas në Tiranë, takim që u zhvillua paralelisht në të dymbëdhjetë qarqet e vendit.

Rama i cilësoi ato si “forcat komando të Partisë Socialiste”.

“Shqipëria është grua, Europa është grua” dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian varet, në radhë të parë, nga nënat, nga motrat dhe nga bijat e Shqipërisë”, theksoi ai.

Kryeministri nënvizoi se “me punën e tyre fantastike prej dy vjetësh, e sidomos nga shtatori i kaluar, ato kanë qëndisur pëlhurën rozë të fitores për Shqipërinë 2030, e cila do të mbulojë krejt hartën elektorale të vendit në mëngjesin e 12 majit”.

Gjatë këtij aktiviteti, Rama deklaroi se nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria mund të ketë gruan e parë kryeministre socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›