E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria “përballet” në Bruksel

Për këtë arsye, në Bruksel ndodhet edhe ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu. Pikat që do të diskutohen në këtë takim janë përmbushja e kriterit politik dhe atij ekonomik. 

Mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asociimit i paraprin përgatitjes së Progres Raportit të BE për Shqipërinë, që pritet të publikohet në muajin tetor. Bashkimi Evropian i ka vënë 12 kushte për t’i përmbushur në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat, gjë që vitin e shkuar Shqipëria dështoi dhe me shumë gjasa edhe këtë vit do të mbetet në “klasë”.

Shkaku kryesor është mungesa e dialogut politik dhe përmbushja e kritereve të Kopenhagënit. Pak ditë më parë, u publikua edhe një draft/rezolutë, ku theksohet se funksionimi i institucioneve dhe kriteret politike janë thelbësore për integrimin.

“Bashkimi Evropian nënvizon se mirëfunksionimi i institucioneve demokratike është aspekt thelbësor i kriterit politik dhe si pasojë, themelor ne procesin e anëtarësimit. BE thekson rendësin e rivendosjes së duhur dhe të plotë të veprimtarisë parlamentare të bazuar në dialog të qëndrueshëm e konstruktiv politik në mes të gjitha partive politike. Ky është një prioritet kyç i Opinionit. Qorrsokaku politik po mban peng reformat e rëndësishme të kërkuara nga vendi për të ecur përpara drejt BE-së. Për më shumë, funksionimi i plotë i parlamentit është jetik për besueshmërinë e pjekurisë demokratike të Shqipërisë”, thuhej në draft.

BLLOKIMI

Bashkimi Evropian shpreh keqardhjen për vazhdimin e ngërçit të gjatë politik dhe klimës konfrontuese politike që buruan nga mosmarrëveshja mbi rezultatin e zgjedhjeve të qershorit 2009, të cilës mosmarrëveshje, i hodhën benzinë ngjarjet e vajtueshme të 21 Janarit dhe tek e cila, zgjedhjet lokale të 8 Majit ndikuan edhe më shumë. BE përsërit thirrjen se është e gatshme të kontribuojë në të gjitha përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik. Por nënvizon se është fillimisht përgjegjësia e liderëve politikë të të gjitha anëve të vendosin interesat dhe të ardhmen e vendit mbi agjendat personale e partive politike dhe të gjejnë një zgjidhje për daljen nga qorrsokaku. Liderët politikë duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të veprojnë për këtë qellim.Për zgjedhjet, BE-ja vlerëson procesin në tërësi si pozitiv:

ZGJEDHJET

BE përsërit thirrjen se reforma zgjedhore dhe mbajtja e zgjedhjeve janë prioritetet kyçe të Opinionit. BE vëren se pavarësisht disa parregullsive, votimi gjatë zgjedhjeve të 8 Majit ishte përgjithësisht i qetë dhe se fillimisht numërimi ishte i ngadaltë por, megjithëse u shoqërua me disa tensione, përgjithësisht ishte brenda normave. BE shpreh keqardhjen për keqësimin e situatës dhe rritjen e tensioneve qe pasuan kur rezultatet paraprake nuk u shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pas vendimit të tij për të numëruar vota të gabuara, i cili u konfirmua nga Kolegji Zgjedhor. BE pret që procesi në vazhdim i ankesave të jetë i ndershëm, transparent, të kryhet në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues ligjor.

BE thekson nevojën për t'ju drejtuar të gjitha rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve të Qershorit 2009 dhe rekomandimet paraprake që bëri në kuadër të zgjedhjeve lokale të Majit 2011 (po ashtu dhe rekomandimet përfundimtare sapo të publikohen) për të përmirësuar praktikat e së kaluarës dhe të garantojë përputhshmëri me standardet e BE-së dhe ato Ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.Në përgjithësi, BE-ja përshëndet vazhdimin e miratimit të ligjeve, por thekson nevojën e aprovimit të ligjeve me shumicë të cilësuar. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-18 15:12
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›