E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiperia Hetim Karla del Pontes

Duke përshëndetur edhe një herë vendimin e pafajësisë për herë të dytë të Ramush Haradinajt nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, qeveria shqiptare ka paralajmëruar ndërmarrjen e një akti të paprecedentë.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t'i kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë dhe të ndërmarrin  një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores Karla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës, z. Haradinaj. Këto instanca janë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ku Karla del Ponte, me detyrën e kryeprokurores akuzoi në mënyrë të përsëritur Ramush Haradinajn për krime kundër njerëzimit me vrasje masive të shqiptarëve dhe serbëve gjatë luftës së Kosovës.

Qeveria shqiptare thotë se janë tronditëse deklaratat e fundit të prokurorëve të Gjykatës së Hagës, të cilët pohojnë se akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga Karla del Ponte, është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marrë parasysh dhe duke anashkaluar rekomandimin  e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë të Gjykatës së Hagës dhe shkarkimin e tyre nga çështja.

Në bazë të këtyre deklaratave, Qeveria e Republikës së Shqipërisë thotë se do të kërkojë nisjen e menjëhershme të hetimit për  rolin tendencioz dhe të paligjshëm të Karla del Pontes për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje. Gjthashtu, qeveria shqiptare bashkohet plotësisht me kërkesën e autoriteteve zyrtare të Kroacisë për hetim të pavarur të ish-kryeprokurores Karla Del Ponte lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit Ante Gotovina dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët Gjykata e Hagës i shpalli të pafajshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›