Shqipëria Zgjedh 2025, platformat sociale nxisin përdoruesit që të votojnë

Nxitjes për të ushtruar të drejtën e votës në Shqipëri i janë bashkuar edhe platformat sociale.
Në profilet Facebook të përdoruesve në Shqipëri është shfaqur një postim, që u kujton atyre se sot është dita e votimit. Por postimi nuk mbetet vetëm tek njoftimi i ditës së zgjedhjeve. Gjithashtu Facebook ndihmon votuesit për të vizituar uebsajtin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga ku ata mund të informohen për qendrën e tyre të votimit, për kandidatët dhe të tjera informacione të nevojshme.
Rrjetet sociale, kryesisht Facebook dhe Instagram, thonë ekspertët, kanë përdorshmëri të lartë në vendin tonë dhe kjo është një mundësi për të nxitur votuesit në një ditë si kjo e sotmja.
Shifrat zyrtare tregojnë se nga 3,7 milionë votues, 114.642 janë të rinj që do të votojnë për herë të parë në vendin tonë.
Teknologjia gjithashtu është shfrytëzuar në këto zgjedhje parlamentare edhe nga kandidatët për deputetë, të cilët veç takimeve në terren fushatën e kanë përqendruar edhe në internet.
Gazetare: Ornela Ceka
/rtsh.al/