E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, arsye të shëndosha ekonomike për të hyrë në BE”

21-11-2012 / Gazeta 55

Kushtet për integrimin/ Ambasadori i BE-së lëshon mesazhin e radhës për politikën. Sequi: “Votimi i tre ligjeve vendimtar për statusin. Afatet nuk shtyhen”

Ambasadori i BE-së  në Tiranë Ettore Sequi shprehu dje mbështetjen e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, në procesin e integrimit të saj.
I pranishëm në aktivitetin me Temë: "Prespektiva Evropiane e Shqipërisë", organizuar dje në Tiranë, ambasadori Sequi deklaroi se, “ka vetëm një rrugë që të çon në Bruksel dhe kjo, është rruga e reformave, rruga e shtetit ligjor e sundimit të ligjit, rruga e dialogut”.
Ambasadori Sequi, në fjalën e tij theksoi se, “Shqipëria ka treguar arsye të shëndosha ekonomike për të hyrë në Bashkimin Evropian, duke njohur këtu dhe përfitimet që do të ketë shteti ligjor, lufta ndaj  korrupsionit etj. Sigurisht që ne besojmë se integrimi është i lidhur me demokratizimin, me transformimin, pra është një forcë lëvizëse e demokratizimit. Dhe, si në vendet e tjera, për të arritur progresin e duhur, është e rëndësishme të arrihet  konsensusi, i cili ka nevojë që të përqafohet jo vetëm nga forcat politike, por edhe nga populli”, tha ai.
“Është përgjegjësi e klasës politike të plotësoj vullnetin dhe dëshirën e opinionit publik  për të arritur aspiratat për integrim”, shtoi me tej ambasadori Sequi. 
Votimi i tre ligjeve të kërkuara nga KE është vendimtar për marrjen e statusit, pasi në të kundërt përgjigja për Shqipërinë do jetë negative.
Ambasadori vuri theksin në plotësimin e kushteve për marrjen e statusit, por nëse ato nuk plotësohen statusi i kandidatit nuk do të kalojë.
“Këshilli do diskutojë situatën për Shqipërinë. Është e qartë nëse këto masa do aplikohen, Shqipëria ka shansin për të marrë statusin e kandidatit. Nëse masat e rekomanduara nuk do të kalojnë, sigurisht që shanset nuk do të jenë”, vuri në dukje Sequi.
Megjithatë, tha Sequi, vendimi do të varet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.
“Ajo që dua të theksoj është që ky është rekomandimi i komisionit, por janë vendet anëtare të BE që do të marrin vendimin. Është e qartë që nuk mund të flas për vendet anëtare se nuk është detyra ime”, theksoi ai.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi ka deklaruar se nuk ka shtyrje të afateve për plotësimin e kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas tij, afati kohor është shumë i kufizuar.
“Sigurisht duhet të konsiderojmë se i gjithë ky proces është disi kompleks, sepse përpara takimit të këshillit ka takime të tjera të niveleve të ndryshme në Bruksel, dhe këto takime do të jenë në përgatitje të takimit të këshillit. Ajo që dua të them që me gjithë këtë përgatitje afati kohor është shumë i kufizuar”, deklaroi Sequi.
I pyetur për takimin e mundshëm mes Ramës dhe Berishës, ambasadori Sequi tha se BE ka bërë gjithnjë thirrje për dialog, dhe se nga deklarimet e një dite më parë dy liderët ishin të gatshëm për dialog.
Duke shprehur rëndësinë e shoqërisë civile në procesin e integrimit, ambasadori Sequi deklaroi se, “opinioni publik duhet të tregojë angazhim dhe të japë një lloj presioni klasës politike për të përshpejtuar procesin e integrimit. Opinioni publik është i rëndësishëm”, theksoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›