E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria çel zyrtarisht ambasadën në Sarajevë

Shqipëria ka çelur zyrtarisht ambasadën e saj në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës.
Në ceremoninë e inaugurimit, përveç ministrit shqiptarë të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, të Bosnje-Hercegovinës, z. Sven Alkalaj, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Shqipërisë, z. Flamur Gashi si dhe qytetarë vendas me origjinë shqiptare.

"Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu sot në këtë inaugurim zyrtar të Ambasadës sonë. Mendoj se është një hap historik në marrëdhëniet e reja midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe tregues i qartë i prioritetit shumë të rëndësishëm që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me fqinjët, kontribut që ne do ta shtojmë akoma më tej, në shërbim të integrimit evropian të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor", pat deklaruar Meta.

Më tej, Meta njohu të pranishmit me potencialet e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria, duke ftuar në mënyrë të veçantë qytetarët e Bosnje-Hercegovinës të vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet verore. Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, z. Sven Alkalaj, duke vlerësuar hapin e ndërmarrë nga Qeveria shqiptare për hapjen e Ambasadës në Sarajevë, shprehu vlerësimin e tij të veçantë për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luan në rajon, si faktor paqeje, stabiliteti dhe si kontribuese tepër e rëndësishme për integrimin evropian të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›