Shqipëria dhe Bosnja, që sot lëvizje pa viza mes tyre

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni, deklaroi për mediat se nënshkrimi i kësaj marrëveshje u mundësua më 24 mars 2009, si pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare për zgjerimin e hapësirave të komunikimit me vendet e rajonit dhe krijimin e mundësive për lëvizjen e lirë të shtetasve në këto hapësira.
Kjo marrëveshje siguron përjashtimin nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dy vendeve të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme dhe dëshirojnë të hyjnë, të kalojnë ose të qëndrojnë në territorin e secilit vend.
Afati i qëndrimit nuk duhet ti kalojë 90 ditët (3 muaj) brenda një afati prej 180 ditësh (6 muaj), sipas standardeve të Bashkimit Evropian, u shpreh Gjoni.
Kalimi nëpër pikat kufitare të hapura për lëvizjen ndërkombëtare ose ndërshtetërore do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera.
Kjo është një nga risitë e kësaj marrëveshje, e cila i përputhet dëshirës së të dy palëve për lehtësimin maksimal nga barrierat apo detyrimet, duke e përqasur praktikën e lëvizjes ndërmjet dy vendeve me praktikën e lëvizjes së shtetasve në hapësirën e BE-së.
m.i/NOA