Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunim dhe projekte për mbrojtjen nga kriza
Kryeministri Berisha takon homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, në mjediset e Kryeministrisë të dy kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve. Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e homologut të tij maqedonas si një kontribut të ri shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore dhe në bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve. Dy kryeministrat ripohuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes vendeve në nivelin, bilateral dhe atë multilateral, si dhe theksuan angazhimin reciprok për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në interesin më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve. “Kjo vizitë është një kontribut i ri shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore dhe në bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve tona. Në takimin tet a tet dhe në takimin me delegacionet, ne diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin tonë të ngushtë në projektet tona madhore të integrimit evropian dhe euroatlantik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, Maqedonia ‘de facto’ është anëtare e NATO-s. Shqipëria do të japë kontributin e vet modest që edhe momenti ‘de juro’ të ndodhë sa më shpejt. Maqedonia ka bërë një progres të madh dhe ka fituar statusin vite më parë. Ne jemi të bindur se meriton plotësisht hapjen e negociatave dhe vlerësimin e progresit të merituar. Maqedonia mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit evropian dhe sheh me interes hapat para në këtë drejtim. Ne diskutuam për intensifikimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në çdo fushë. Ne ramë dakord që të bëjmë përpjekje të përbashkëta për Korridorin 8, për lidhjen e linjave të tensionit të lartë, për kompletimin në dy anët respektive të rrugës së Arbrit, unazës së Ohrit, lidhjen hekurudhore. Unë e sigurova kryeministrin se qeveria do të mbështesë interesin e Maqedonisë për projektin TransAdriatik të gazit që vjen nga Azerbajxhani. Diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fusha të tjera”, tha kryeministri Berisha. Ai komentoi edhe situatën e shqiptarëve të maqedonisë, duke vënë theksin të garantimi i të drejtave dhe lirive themelore si kusht për zhvillimin e shoqërive multietnike. “Si ç’është normale një temë e veçantë e takimit tonë është çështja e shqyrtimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve me origjinë shqiptare dhe maqedonase në të dy vendet tona. Ne vlerësojmë shumë rolin e shqiptarëve në paqen stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, kontributin e tyre në këtë drejtim. Ne shohim me interes shumë të madh progresin e këtij vendi dhe të shoqërisë multietnike, si një rast unik, si një rast i shkëlqyer për tu bërë një shembull i ndritshëm në gadishullin e Ballkanit”, u shpreh Berisha. Në vijim u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase, përkatësisht Marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit dhe Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht. “Me kryeministrin e republikës së Maqedonisë dhe firmosëm dy marrëveshje të rëndësishme në kurorëzim të kësaj vizite, marrëveshje që kanë të bëjnë me njërën prej lirive më themelore të qytetarëve të dy vendeve, atë të lëvizjes së lirë, njohjes së dokumenteve të qarkullimit dhe hapjes së një pike kufitare komunikimi në zonën Trebisht-Xhepisht, pra shtimin e një kanali të ri komunikimi mes qytetarëve të dy vendeve”, u shpreh kryeministri Berisha. Për kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski vendi i tij është i interesuar për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht në thellimin e bashkëpunimit ekonomik. “Gjatë kësaj vizite theksuam marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, në çdo nivel, bilateral dhe multilateral. Të dy palët theksuam angazhimin reciprok për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, veçanërisht për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Në mënyrë të veçantë kryeministri përmendi edhe planin infrastrukturor të ardhshëm mes dy vendeve, si një nga prioritet e bashkëpunimit tonë të ardhshëm”, tha ai. Duke u ndalur konkretisht në fushat e mundshme të bashkëpunimit mes dy vendeve, Gruevski theksoi linjën hekurudhore kufitare, Korridorin VIII, ndërtimi i unazës në Ohër si dhe ndërlidhjen energjetike mes dy vendeve. “Në këtë takim ne diskutuam edhe për linjën hekurudhore kufitare, duke filluar nga Kërçova që tanimë i kemi filluar përgatitjet në bashkëpunim me IPA. Kjo është edhe një rrugë më e sigurt për realizmin e këtij projekti, si dhe pjesën e korridorit 8, ku ne po punojmë në mënyrë aktive për sigurimin e mjeteve financiare për ndërtimin e kësaj rruge nga Kërçova në kufirin shqiptar. Në takim theksuam edhe mundësitë për ndërtimin e autostradës Shkup -Tiranë, e cila do t’i japë shtysë zhvillimit të turizmit. Republika e Maqedonisë në mënyrë aktive punon për realizimin e projekteve, nga pala jonë është iniciuar, ndërsa nga pala shqiptare është pranuar për ndërtimin e unazës në Ohër. Gjatë këtij takimi folëm edhe për ndërlidhjen energjetike mes dy vendeve, projekt të cilin ne sa e kemi filluar dhe jemi në fazën e fizibilitetit. Ky është një projekt që bashkë me Bullgarinë dhe Shqipërinë do të kërkojmë edhe fonde për ndërtimin e kësaj linje”, theksoi Gruevski. Duke u ndalur te perspektiva euroatlantike e Shqipërisë dhe Maqedonisë, Nikola Gruevski theksoi se “integrimi në Evropë dhe në NATO është me rëndësi prioritare. “Republika e Shqipërisë është e anëtarësuar në NATO, ndërsa Republika e Maqedonisë, për shkak të fqinjit tonë Greqisë, ende jo. Unë, të ardhmen e dy vendeve tona dhe të vendeve të rajonit e shoh në BE. Në këtë drejtim kemi qëllim të përbashkët, me Kryeministrin Berisha”, tha Gruevski, ndërsa uroi kryeministrin Berisha për rekomandimin e KE-së për statusin e vendit kandidat dhe fillimin e reformave.
Marrëveshjet e firmosura dje nga kryeministrat Berisha dhe Gruevski
- Njohja e lejeve të qarkullimit, duke shmangur burokracitë për qytetarët, si nxjerrja e lejeve ndërkombëtare të qarkullimit, etj.
- Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht, e cila do të lehtësojë shumë komunikimin mes qytetarëve, sidomos të atyre që jetojnë në zonat kufitare.
...