Berisha: Kisha Katolike, kontribut në pavarësinë e Shqipërisë
“Mirënjohje Kishës Katolike, meshtarëve të saj të të gjitha kohërave, nga Buzuku, Bogdani, Bardhi, Gjeçovi, e Dom Nikoll Kazazit, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar!”
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në Konferencën me temë “Roli i Kishës Katolike në Pavarësinë e Shqipërinë, Një Vështrim Historik”, i organizuar nga Arqipeshkvia Tiranë-Durrës dhe Caritas Albania.
Në Konferencën e cila u hap nga Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës Tiranë - Durrës Imzot Rrok Mirdita, merrnin pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, Ministri i TKRS Aldo Bumçi, Drejtori i Caritas Albania Albert Nikolla, besimtarë e të ftuar të tjerë.
Pasi i falenderoi për ftesën e bërë, Kryeministri Berisha u shprehu nderimin që sot së bashku me drejtuesit e tjerë të tjerë të Kishës nderonte veprën e pavdekshme të Kishës Katolike Shqiptare, në Pavarësinë e Shqipërisë. “Ky 100 vjetor është një rast për të gjithë ne, për të hedhur një vështrim në të shkuarën tonë, për të hedhur një vështrim në historinë tonë, historinë ndër më të dhimbshmet, ndër më të vështirat, histori që i shëmbëllen në tërësinë e saj një kalvari të vërtetë, por në këtë histori spikat në shekuj roli kombëtar i Kishës Katolike. Me meshtarët e saj të mëdhenj janë të lidhura librat e parë të gjuhës sonë. Libra, që fjalën e Zotit e sollën në shqip”, u shpreh Kryeministri Berisha. Ai theksoi se ky 100 vjetor i Pavarësisë, vjen në një moment kulmor për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sipas kryeministrit, ky është edhe synimi madhor i shqiptarëve, integrimi dhe bashkimi në familjen e madhe evropiane. “Sot në këtë 100 vjetor, natyrisht nuk mund të kemi asnjë urim tjetër përveçse tu urojmë shqiptarëve paqe. 100 vjetori që shkoi ishte 100 vjetor me luftëra të pabarabarta, të pa ndershme, diktatura të egra ndaj dhe le të urojmë së bashku një 100 vjetor në paqe, në liri, në progres, të urojmë të realizojmë projektin tonë të madh Evropian, të urojmë të realizojmë projektin tonë të madh kombëtarë të bashkohemi si një komb në Evropën e Bashkuar”- tha ai.
Duke vlerësuar rolin e meshtarëve nga Buzuku, Bogdani, Bardhi, Gjeçovi, e Dom Nikoll Kazazit, - kryeministri Berisha tha, - se vepra e tyre, ishte një vepër që qëndron në themel të shqipes së sotme, vepër, e cila bëri të mundur në kushtet dhe në terrin më të madh, zhvillimin e gjuhës sonë.
Gjithashtu, kryeministri Berisha u shpreh se për shqiptarët gjuha shqipe është edhe shtylla kryesore e identitetit tonë kombëtar. Ndërsa vlerësoi se Kisha Katolike ishte në krye të përpjekjes së shqiptareve për të rilindur. “Rilindja jonë ishte e vonë, e vonshme tashmë për arsye të njohura, por Kisha dhe korifejtë e saj, u shndërruan në krijuesit e veprave më të ndritura, që ndikuan fuqishëm në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, me emrat e Dom Nikoll Kaçorrit, Patër Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës dhe meshtarëve të tjerë të mëdhenj është i lidhur alfabeti i gjuhës sonë. Këta burra mendje ndritur dhanë një kontribut historik, së bashku me dijetarë, gjuhëtarë dhe klerik të besimeve të tjera, për ti dhënë gjuhës germat e alfabetit latin”- theksoi Berisha.
Gjithashtu, kreu i qeverisë vlerësoi faktin se roli atdhetar i Kishës ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme në vitet e shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdim.
Moment historik Kryeministri vlerësoi edhe vizitën e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri. “Vizita historike e Papa Gjon Pali i II ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për kombin shqiptarë në rrugën e tij të ndërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, tha Kryeministri.