E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria dhe OSBE të përkushtuara për mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien e komunitetit

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran mori pjesë sot në takimin rajonal “Parandalimi i prerjeve të paligjshme të pyjeve në Malet e Sharrit dhe në zonën e Masivit të Korabit”, së bashku me prefektin e Dibrës, Nexhbedin Shehu dhe ekipin për ndryshimet klimatike të Zyrës së Bashkërenduesit për Veprimtaritë Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.

Takimi mblodhi mbi 50 zyrtarë të zonave të mbrojtura, përfaqësues bashkiakë, të policisë kufitare dhe organizata të shoqërisë civile.

“Shqipëria është e bekuar me një biodiversitet të pasur dhe peizazhe që përbëjnë shtyllën kurrizore të sektorit të saj të turizmit dhe të ekonomive vendore. Sot, jemi mbledhur këtu, në rajonin e bukur të Dibrës, brenda zonës së mbrojtur Korab-Koritnik – një rajon i bollshëm me burime natyrore dhe potencial turistik, por i cenueshëm nga rreziqet mjedisore nëse zhvillimi nuk menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme. Si Shqipëria, ashtu edhe OSBE-ja, janë të përkushtuara për ruajtjen e këtyre burimeve nëpërmjet praktikave të qëndrueshme, që mbrojnë mjedisin dhe mirëqenien e komunitetit”, tha Tarran.

Takimi është pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore “Forcimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore”, i cili zbatohet nga OSBE-ja, në partneritet me “adelphi”.

Fokusi i projektit në Evropën Juglindore janë mali i Sharrit dhe Masivi i Korabit, që përbëhen nga katër zonat e mbrojtura: Korab-Koritnik, Mavrovë, Mali Sharr dhe Sharri/Šara.

1 nga 5

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›