E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, donatorët dhe efektet e krizës globale

Së pari do dëshiroja të falënderoja vendet donatore për ndihmën bujare që vijojnë t’i akordojnë Shqipërisë dhe personalisht ju për angazhimin dhe kontributin tuaj në bërjen e kësaj ndihme efektive. Do dëshiroja të prezantoja një panoramë të gjendjes makro-ekonomike të ekonomisë shqiptare për vitin 2009.

Viti 2008 ishte një vit tepër i suksesshëm, me një rritje ekonomike prej 8 % të PBB, një vit ku inflacioni qëndroi parametrat 2.3%, ku niveli i papunësisë u ul me 0.3%, duke zbritur në 12.7%, ku të ardhurat buxhetore u rritën me 6%, ku u implementua taksa e sheshtë në nivelin 10% që do të thotë një përgjysmim i taksës korporative dhe një ulje me 2.3 herë i nivelit të tatimit mbi të ardhurat. Një vit ku investimet publike arritën në 9.4% të PBB dhe të gjitha këto bënë krijimin e një baze pozitive për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare. Ekonomia shqiptare në fundin e vitit 2008 filloi të ndikohej nga efektet e krizës globale që u shoqërua me një rënie të nivelit të depozitave dhe fillimit të rënies se remitancave në ekonominë shqiptare.

Megjithatë viti 2009 është karakterizuar nga tregues pozitive. Viti 2009 si viti i krizës më të thellë globale e gjeti Shqipërinë në një faze plot shpresa për ruajtjen e një zhvillimi të lartë ekonomik të vendit, por një gjë e tillë nuk u bë e mundur pasi implikimet e kësaj krize edhe në ekonominë shqiptare u bënë evidente. E filluar si një rënie e depozitave, si një shtrenjtim i kreditimit të ekonomisë, si një rritje e kostos së borxhit publik, si një rënie e kërkesës së eksporteve shqiptare në tregjet rajonale, si një reagim i konsumatorit vendas ndaj zhvillimeve në treg dhe si një pasiguri e investitorëve për boten e nesërme ekonomike.

Qeveria shqiptare përballë presioneve të kësaj krize përdori nxitës të fuqishëm fiskalë gjate 6-mujorit të parë të vitit 2009. Ne vijuam me politikën e uljes së taksave për të krijuar më shumë stimuj për ekonominë reale. Ulëm gjatë këtij viti me ¼ nivelin e taksës mbi punën duke bërë të mundur që në harkun e dy viteve të përgjysmohet taksa e punës, nga 29% në 15%.

Ne mbajtëm një vëllim të lartë të investimeve publike në nivelin 10% të PBB, ose afro 1/3 e buxhetit, u shpenzua për investimet publike, kryesisht në infrastrukturë dhe për të mbajtur gjallë dhe lart kërkesën e brendshme. Ne bëmë rritjen e pagave dhe të pensioneve dy muaj më parë se në vitet e zakonshme, nga data 1 Maj, me të njëjtin program rritje sikurse edhe më parë, për të mbajtur gjallë kërkesën e brendshme. Ne ulem kërkesën e qeverisë për fonde në tregun e brendshëm financiar duke e zëvendësuar me një kredi 200 milionë euro për shërbimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, marrë në tregun ndërkombëtar, sigurisht me interesa që reflektojnë zhvillimet e këtij tregu.

Ne përdorëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009 dhe në vazhdim të ardhurat nga privatizimet strategjike me një vlere 250 milionë euro për të mbështetur investimet publike dhe për të nxitur kërkesën e brendshme.

Të gjitha këto bënë të mundur që ekonomia shqiptare gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009 të mbetej jashtë vorbullës së krizës. 6-mujori i parë sipas INSTAT dëshmon për një rritje ekonomike prej 5.3%, dhe gjithashtu për të gjithë vitin mendohet një rritje ekonomike me mbi 3% sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare. Viti 2009 dëshmoi për një rritje të të ardhurave krahasuar me vitin 2008 prej rreth 7% ndërkohë që në shumë vende të rajonit kemi një rënie të tyre. Po ashtu kemi edhe një rritje të kreditimit në ekonominë reale, tregu financiar duke iu rikthyer stabilitetit të tij po vijon të mbështesë sektorin real të ekonomisë.

Ka presione të forta në krahun nën çmues të monedhës vendase në raport me euron gjë që ka rritur prirjen e një inflacioni pozitiv në tregun e mallrave dhe që bën të mundur që niveli i inflacionit në ekonominë shqiptare të jetë rreth 2%. Norma e papunësisë gjatë fillimit të këtij viti rezultoi në të njëjtin nivel me fundin e vitit të kaluar duke mos ndikuar në rritjen e papunësisë në tregun vendas, ndërsa në disa sektorë pati efekte pozitive. Deficiti i llogarisë korente, regjistroi një ngushtim gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që nga ana tjetër flukset e larta të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin e parë rreth 59% më shumë në krahasim me një vit më parë e ardhur kryesisht prej privatizimeve dhe financimeve të suksesshme në sektorin publik nëpërmjet huamarrjes së huaj. Ka rezultuar me një bilanc pozitiv të pagesave, duke rritur më tej stokun e rezervave valutore të vendit. Këtu vlen të përmendet edhe një politikë e ndjekur nga qeveria lidhur me financimin e shpenzimeve buxhetore gjatë pjesës së parë të vitit.

Qeveria ka synuar dhe ja ka arritur me sukses të financojë një pjesë të mirë të deficitit buxhetor gjatë gjysmës së parë të këtij viti nëpërmjet huamarrjes së huaj. Duke ja lënë kështu gjithë hapësirën tregut të brendshëm, financimin, kreditimin e ekonomisë reale.

Megjithëse e vendosur në rrafshin botëror, ekonomia shqiptare ka shënuar një ecuri realitivisht tepër pozitive për sa i përket sektorit financiar dhe atij fiskal po kështu edhe ekonomisë reale, impaktet negative të krizës ekonomike globale janë ndjerë edhe në vendin tonë. Kanalet kryesore të transmetimit të kësaj krize ka qenë një pakësim i kërkesës së huaj kryesisht në minerale dhe i remitancave, një rritje e pasigurisë në faktorët ekonomike e shoqërore me një rritje të primeve të riskut dhe një reduktim i mbështetjes financiare me kredi të ekonomisë dhe një rritje e kostos së tyre. Impaktet e krizës vihen re edhe në indikatorë të tillë si rritja ekonomike apo treguesit fiskalë, të cilët edhe pse janë në terma pozitive ritmet e rritjes së tyre krahasuar me vitin 2008, dhe pjesërisht me vitin 2007, janë më modeste.

Viti 2009 është një vit ku qeveria përdori të ardhurat nga privatizimet strategjike dhe për këtë arsye deficiti buxhetor duket më i rritur nga ai programuar. Këtë vit huamarrja e brendshme është nën nivelin e programuar në fillim të vitit, do të jetë vetëm 3.8% e GDP, huamarrja e re që do të bëjë qeveria në tregun financiar. Kemi një rritje të moderuar të borxhit publik prej rreth 1.5% në krahasim me fillimin e vitit dhe kjo dëshmon mbivlerësimin e euros në raport me monedhën vendase. Megjithatë situata duket se po vjen në përmirësim të shpejtë në sektorin financiar në muajt e fundit, i cili po i kthehet treguesve pozitivë që ka pasur. Ekonomia reale gradualisht po riorientohet në treg për të qartësuar strategjitë e mëtejshme të investimeve të tyre. Ajo që mbetet problematike dhe që do të përbëjë edhe vëmendjen kryesore të qeverisë është ruajtja e stabilitetit të përgjithshëm makro-ekonomik të vendit përballe zhvillimeve jo fort pozitive në tregjet globale dhe që lidhet në radhë të parë me shtrenjtimin e normave të interesit të huamarrjes, me shërbimin perspektiv të borxhit publik, dhe me mundësitë e zëvendësimit të financimeve me norma tregu, me programe dhe instrumente të tjerë të zhvillimit.

Në këtë kuadër sigurisht që kjo konferencë merr një rëndësi të madhe për qeverinë shqiptare, pasi bën të mundur ose hap një perspektive, që gradualisht projekte dhe programe prioritare dhe të qenësishme të qeverisë, të mund të mbështeten nga donatorët, duke çliruar në këtë formë fondet e brendshme dhe duke ulur gjithnjë e më shumë nevojën për para në tregun e brendshëm dhe borxhimin e mëtejshëm të qeverisë shqiptare.

Ne vijojmë të ngelemi në nivelin e borxhit publik nën 60% të PBB, i rritur siç thashë me 1.5% të PBB për shkak të mbivlerësimit, ndërkohë që në vendet periferike dhe më gjerë rritja e borxhit publik është në shifra shumëfish që lëviz nga 30-8% krahasuar me fundin e vitit 2008, por sidoqoftë përdorimi i burimeve financiare që ofrojnë donatorët përbën një instrument shumë të privilegjuar për ë ruajtur stabilitetin makroekonomik perspektiv të ekonomisë shqiptare dhe për të krijuar kushtet për rikthimin në ritmet më të larta të rritjes së saj.

Së fundi do të dëshiroja të shtoja disa çështje që lidhen me donatorët dhe që mendoj se kanë rëndësi për t’i adresuar bashkërisht dhe për t’i zgjidhur.

Së pari do të theksoja faktin te koordinimi i donatorëve duhet bërë më mirë dhe që të gjitha programet dhe donacionet të mund të adresohen tek ato programe dhe politika që janë prioritete të qeverisë, për të mbështetur realisht prioritetet e deklaruara, në të cilat qeveria ka angazhuar fondet e saj.

Së dyti mendoj që për shkak të këtij koordinimi jo të mjaftueshëm, dhe një lloj individualizmi në hartimin e programeve të donacioneve, ka një fragmentarizim të madh të donacioneve gjë që i bën jo fort efektive dhe joeficente në raport me ekonominë në tërësi. Shpërndarja në projekte shumë të vogla sigurisht që bën që këto fonde të mos kenë rezultatet e tyre, produktet e tyre te mos jenë fort efikase në ekonomi dhe po ashtu në misionin që kanë. Mendoj se gjithnjë e më shumë nëpërmjet koordinimit këto donacione të mund të konsolidohen drejt projekteve më të mëdha që të kenë një impakt më të madh publik dhe ekonomik.

Së treti qeveria mendon se një rol shumë të rëndësishëm të marrin institucionet e zhvillimit në mbështetjen e programeve dhe strategjive të saj, sidomos në infrastrukture dhe ne kemi kërkuar nga bankat e zhvillimit që kanë prezencë të mjaftueshme në Shqipëri që ato të marrin dhe të koordinojnë, të udhëheqin projekte të caktuara me impakt të madh publik të infrastrukturës apo dhe të politikave të tjera qe zhvillohen në sektorin e shëndetësisë në sektorin e arsimit dhe në sektorë të tjerë. Koordinimi përmes këtyre institucioneve i kredive e donacioneve që gjithnjë e më shumë janë të mundura për t’u bashkuar përbën një instrument shumë të çmuar për qeverinë për të financuar objekte të mëdha strategjike të ekonomisë shqiptare.

Së katërti çështja që doja të shtroja ka të bëjë me përshpejtimin e implementimit të programeve dhe projekteve në kuadrin e donacioneve, pasi zgjatja në kohë ul impaktin qoftë publik, ashtu edhe ekonomik të projekteve që zhvillohen në kuadrin e donacioneve.

Një çështje që lidhet me një shqetësim që ngrenë donatorët ka të bëjë gjithashtu me një shqetësim që ka qeveria. Çështja e marrjes në kontabilitet nacional të të gjitha produkteve që realizohen përmes donacioneve qofshin këto investime të trupëzuara apo investime të tjera jo të trupëzuara. Donacionet në pjesën e tyre dërmuese nuk kalojnë përmes thesarit dhe as nuk raportohen në thesar, nuk janë pjesë e programeve të ministrive apo përdoruesve të tjerë të financave publike dhe as regjistrohen në keto institucione. Këtu qëndron edhe problemi pse në disa raste ka vështirësi në implementimin e programeve për shkak të financimit të TVSH-së. Preferenca e donatorëve dhe dakordësia e qeverisë është që donatorët nuk paguajnë TVSH, atë e paguajnë institucionet përfituese përmes mbështetjeve buxhetore që akordon qeveria për çdo institucion që ka një program të tillë donacioni. Por mospërfshirja në projektet dhe programet vjetore të ministrive dhe mos raportimi i tyre në sistemin e thesarit krijon këtë vështirësi.

Ne nuk kemi vështirësi në asnjë program me asnjë projekt që financohet me kredi, pasi kreditë duke u kanalizuar në buxhet, duke u disbursuar nëpërmjet thesarit duke qenë pjesë e buxheteve vjetore të ministrive, kanë kundër partin e tyre të financimit. Çështja e rimbursimit të TVSH qëndron vetëm në donacionet, të cilat nuk janë pjesë e programeve të qeverisë dhe që nuk disbursohen në formën tradicionale dhe formën më klasike.

Unë e di që ka edhe probleme sigurisht që lidhen me administrimin dhe me fleksibilitetin e administratës publike dhe të Ministrisë së Financave, por përmes një bashkëpunimi ne mund të adresojmë të gjithë çështjet që janë shqetësuese për ju.

*Ministër i Financave

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›