Gjellës që s’është imja, i rëntë miu brenda
Deklarata e paradokohshme politike dhe “joprotokollare” e nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Rafiz Haliti, i cili, pos të tjerash, kishte thënë “... shqiptarët do të integrohen në NATO e në BE me ose pa maqedonasit”, për shumë gazetarë dhe analistë shqiptarë dhe joshqiptarë gjeneroi një sërë reagimesh nga më të ndryshmet, për faktin se ishte një rinovim respektivisht një epistemologji e fjalës së lirë politike. Kjo, për mediat, gjegjësisht për pushtetin e katërt, do të jetë një ogur jo i mirë si për të, ashtu edhe për partinë politike që e përfaqëson. Më pastaj ky opinion i tij, do konceptohet si i paargumentuar, i shpejtuar dhe i gjymtuar. Të gjithë ata që e lexuan ndërmjet rreshtash do të thonë se ky opinion na qenka një gafë e radhës, opinion shovinist, irredentist, separatist dhe në instancë të fundit politikisht i rrezikshëm. Ndërkaq, ata që e kanë inat z. Halitin, gjegjësisht gojëkëqijtë, sherrxhinjtë dhe sehirxhinjtë, nuk do ngurrojnë të thonë se kjo deklaratë i përngjan thjesht “papagallit me pupla shumë mish e pak”. Kjo deklaratë e tij, te partneri (jo) serioz maqedonas, VMRO-DPMNE, shkaktoi nervozizëm dhe shqetësime serioze. Këto shqetësime të tyre u mbështetën në faktin se a mos vallë pas kësaj deklarate të “mësuesit” fshihen mendime djallëzore, mendime që ndoshta ushqejnë dhe mbështesin ngjarjet e së kaluarës, ngjarje këto që sot e kësaj dite mbeten me rëndësi të veçantë historike, të lavdëruara dhe fatkeqësisht të shumëpërfolura nga njerëz të cilët “kishin të drejtë”, që në emër të mendimit të lirë të mos pajtohen me rrjedhimet logjike të ndodhive në fjalë?! Rrjedhimet logjika e lartpërmendur do t’i mundësojnë sot çdo njeriu që ta shprehë mendimin e tij të lirë nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, t’i shpëtojë arrestit dhe akuzës!? Edhe z. Oli Rehn tha se Komisioni Evropian nuk do japë mendime a vërejtje për deklaratën e z. Haliti, sepse ky komision, në instancë të fundit, fjalën e lirë të gjithsecilit le që e respekton, por edhe e ka në hise ta mbrojë dhe ta përfillë si të tillë. Moskomentimi i opinionit politik të z. Haliti nga ana e Oli Rehn-it gjithsesi se nuk ishte pasojë e rastësisë. Tekefundit, në shoqëritë me demokraci të zhvilluar fjala e lirë është kryefjala e saj. Kjo kryefjalë nuk mund të ndalohet, të ndëshkohet dhe as mund t’i cenohet e drejta e ushtrimit të sovranitetit mbi mendimin e lirë, pavarësisht se ky gjykim politik a do t’i shkojë për shtati a jo cilitdo qoftë kundërshtari të papajtueshëm politik, po edhe sikur të jenë ata edhe politikanë të këtij nënqielli, ku sot e kësaj dite idetë do t’i nënshtrohen në vijimësi censurës së mediumeve vizuale e të shkruara, si dhe zyrtarëve (jo) të lartë të vertikales a horizontales së partive politike shqiptare a joshqiptare si dhe njerëzve që vegjetojnë në ato hapësira, të cilët nuk e kanë teserën për të vlerësuar vrojtimet politike të bashkëpartiakëve të tyre. Kjo kundërshti, pa dyshim se do ta demokratizonte partinë, me kusht që ky haber të mos dilte nga shtëpia. Fatkeqësisht, refrenet e këtij avazi, do të vazhdojnë të këndohen këtupari. Të nderuar lexues të vëmendshëm dhe të paanshëm, do bëj përpjekje në radhë të parë që të mos shprish theksin logjik të deklaratës autonome të z. Haliti, me qëllim që të mos krijoj përshtypjen se, kinse për inat të të tjerëve, duhet të jem në krahun e tij. Përkundrazi dua ta them mendimin tim se shqiptarët e Shqipërisë (jo politike) londineze, nëse jo nesër a pasnesër..., me siguri në 100-vjetorin e Konferencës (horospi) të Londrës do të marrin udhë drejt atdheut natyral, NATO dhe Bashkimit Evropian, pa marr parasysh se ky optimizmi im i shprehur është në kundërshtim me njerëzit që ndjellin pesimizëm të “tepruar” për një të ardhme të afërt. Të kundërshtosh një ide të tillë politike, humane, fisnike dhe përparimtare, është njësoj sikur foshnjës së porsalindur t’ia marrësh të drejtën të ushqehet me qumështin e nënës biologjike! Është njësoj, sikur të ndërtosh solidarësi ideologjike me njerëz të cilët zotërojnë buzëqeshje politike shpërfillëse! Është njësoj, sikur të thuash se nuk ekziston historia e fjalës së pavarur dhe sovrane. Një histori që ka diktuar dhe shpjeguar “inatet dhe kokëfortësitë” e shumë mbretërve dhe presidentëve të shteteve të cilat detyroheshin të lëshojnë pe karshi demokratizimit, emancipimit dhe humanizmit të lirisë së fjalës. Qelitë e burgut ku ishte mbyllur Volteri tok me fjalën e tij të lirë, ishin shumë të vogla, dhe për këtë mbreti u detyrua që atë ta lirojë. As presidenti francez nuk arriti ta burgosë fjalën e lirë (filozofike) të ekzistencialistit Zhan Pol Sartër, kundërshtarit të përbetuar të qeverisë franceze, apo njohësit të mirë të retrospektivës politike të Martin Luter Kingut, do të thonë se atë e vranë, duke mos ia vrarë fjalën e lirë të tij! Apo i madhi Faik Konica, i cili në emër të fjalës së lirë gjithë ditën e Perëndisë do ta inatoste qeverinë dhe karakterin e mbretit Ahmet Zogu. Kohë më parë, në Tiranë, u rrah opinionbërësi Mero Baze, ai i cili në emër të fjalës së lirë në vijimësi bën gazetari gjurmuese për TEMËN e tij dhe lexuesit e saj. Të thuash se ajo histori nuk ekziston është njësoj sikur të thuash se nuk ekziston mbamendja jonë kolektive në sy të pikëpamjeve sociologjike dhe filozofike të Ukshin Hotit, apo është njësoj sikur të denigrosh pikëpamjet politike të Albin Kurtit, kampionit të opozitës, atij që “gojëkëqijtë” do ta quajnë “...mendjeshitës, cikërrimtar i këndshëm dhe një simbol i humbur”, është njësoj sikur të thuash se fjalët e tij nuk e ndriçojnë “vetëdijen kritike” dhe shqetësimet e tij ndaj Kushtetutës së kontrabanduar të Republikës së Kosovës, një Kushtetutë që dhunon perspektivën e bashkimit kombëtar!
Të mos përfillësh fjalën e lirë, është njësoj sikur të gënjesh e të thuash se nënat kosovare nuk mbajnë kokën dhe shikimin mënjanë, në kërkim të varreve të luftëtarëve të tyre të paepur...apo të thuash se historia e Kullës së Jasharajve kosovarë na qenka e sajuar?. Mund të mos pajtohesh me mendimin dhe fjalën e lirë, por nuk ke të drejtë t’ia marrësh frymën, nuk mund t’ia cenosh autonominë. Për ta përmbyllur këtë “muhabet bajat” gazetaresk, do të më duhet që edhe njëherë ta përsëris atë shprehjen proverbiale mirditase: “Gjellës që s’është imja, i rëntë miu brenda”.