E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria drejt anëtarësimit në Organizatën për Bashkëpunim Digjital

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Shqipëria hedh një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Organizatën e Bashkëpunimit Digjital (DCO).

Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Igli Tafa, nënshkroi në emër të Republikës së Shqipërisë, Kartën Themeluese të DCO-së, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj si dhe Sekretares së Përgjithshme të DCO-së, Deemah AlYahya, në kuadër të viziyës zyrtare që zhvillon në Tiranë.

Ky nënshkrim avancon procesin e anëtarësimit dhe hap mundësi të reja bashkëpunimi për zhvillimin e ekonomisë digjitale, nxitjen e investimeve dhe përshpejtimin e përdorimit të teknologjive të reja. Karta vendos në qendër koordinimin e politikave digjitale, shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e platformave që mbështesin transformimin digjital.

Për Shqipërinë, ky është një hap drejt partneriteteve më të gjera ndërkombëtare, që e kthejnë progresin digjital në më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë fokusi i vizitës është prezantimi i vizionit dhe arritjeve të Shqipërisë në transformimin digjital, diskutimin e hapave drejt anëtarësimit dhe konfirmimin e mbështetjes politike në nivel të lartë.

Me mision zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, DCO synon reduktimin e hendekut digjital dhe krijimin e mundësive të barabarta për vendet, bizneset dhe qytetarët.

Sekretarja e Përgjithshme e DCO-së është pritur në takim edhe nga zv.ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino. Fino bën me dije se gjatë takimit “shkëmbyem pikëpamjet tona mbi rrugëtimin europian të Shqipërisë, bashkëpunimin ndërkombëtar si dhe progresin e Shqipërisë lidhur me digjitalizimin e shërbimeve publike”. “Përgjatë takimit, diskutuam gjithashtu mbi mundësitë dhe sfidat që kemi përpara si dhe rëndësinë që ka digjitalizimi në avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe përafrimin me standardet europiane. Transformimi digjital nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë, por edhe me lidhjen mes njerëzve, krijimin e mundësive të reja dhe ndërtimin e një të ardhmeje digjitale më gjithëpërfshirëse, më të sigurt dhe më të begatë”, theksoi zv.kryeministrja.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›