Shqipëria e Gjeneratës Tjetër , Rama: Vendi në kaos, do hapim një epokë të re për territorin
Shqipëria gjendet në kushtet e një emergjence sa i përket zhvillimit urbanistik të vendit. Me këtë këmbanë alarmi e ka nisur ditën e parë të konferencës me temë Shqipëria e Gjeneratës së Re, kreu i PS dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama. Sipas Ramës, nevojitet hapja e një epoke të re për një zhvillim të integruar, dhe për këtë shtoi ai, duhet ndryshuar modeli i qeverisjes së territorit, duke ndjekur modelet më të mira dhe më suksesshme të vendeve të BE.

Ne sot jemi në kushtet e një emergjence kombëtare. Gjendjen jashtë kontrollit duhet ta trajtojmë si një gjendje të jashtëzakonshme dhe masat që do marrim do jenë të tilla. Kemi dhe sfidën e një transformimi të madh social. Për ne territori është ekonomi. Duhet të mbyllet epoka kur paratë e shqiptarëve u investuan kuturu, planet kuturu, zhvillimet në qytete kuturu. Të hapet një epokë e re e një zhvillimi të integruar. Do ndryshojmë modelin e qeverisjes së territorit, duke ndjekur modelet më të mira dhe më sukseshme të atyre vendeve që janë sot pjesë e BE tha ai.
Rama tha se socialistët nga sot hynë në rrugën e alternativës për të cilën u votuan pasivisht teksa e krahasoi ndryshimin me atë që ndodhi në vitin 1992.
“Nga sot ne hyjmë në një rrugë tjetër, në rrugën e asaj alternative që ne kemi propozuar dhe jemi votuar masivisht nga shqiptarët. Për një ndryshim, që për nga nevoja e brendshme, është e krahasuar vetëm me ndryshimin e vitit 1992″

Prej kohësh, theksoi Kryesocialisti, kemi konstatuar që modeli i ndjekur në të gjithë këto vite ka shterruar, duke hapur plagë të mëdha në territorin e vendit, në jetën sociale dhe ekonominë e vendit.

Sot mblidhemi me një grup të gjerë protagonistësh, planifikues urbanë, arkitektë, ekonomistë, të ardhur nga e gjithë bota, për përpjekjen e madhe të një modeli të zhvillimit të vendit që sot ka nevojë urgjente për të adresuar problemet e veta në një qasje krejt të re. Modeli i zhvillimit i ndjekur gjithë këto vite ka shteruar duke hapur plagë të mëdha në zhvillimin e vendit dhe ekonominë e vendit. Sfidat janë të mëdha, në fokus do të jetë territori dhe ekonomia. Ne besojmë që deri sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kautik. Pika më e dobët e konstatuar edhe nga KE, aletatët dhe partnerët tanë është hendeku në rritje mes asaj që ligjërojmë në letër dhe asaj që zbatojmë në realitet. Këtu jemi për të vendosur piketet për drejtimin e vendit deklaroi Rama.
Për përballimin e kësaj sfide Kryeministri i ardhshëm theksoi se vendit tonë më shumë se kurre i nevojitet ndihma, kontributorët dhe partneriteti nga jashtë.

Për të ndryshuar krejtësisht Shqipërinë na duhen kapacitete planifikuese, implementuese, dhe kapacitete njerëzore, të cilat i kemi të pamjaftueshme për të përballuar sfidën. Ndaj na duhet partneritet në këtë përpjekje. Kemi fatin të punojmë në kushtet kur Shqipëria ka miq dhe partnerë shumë të mirë, institucione ndërkombëtare të gatshme për të ndihmuar. Të gjithë këta kontributorë ne duam që të shtohen dhe të mbeten të lidhur me një proçes sa qeverisës aq dhe emancipues si për pushtetin vendor ashtu dhe atë qëndror përfundoi ai.