E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e Kosova, të njëjtën Abetare për gjuhën

Gjuha shqipe do të mësohet me tekste të njëjta si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në takimin e djeshëm mes ministrit shqiptar të Arsimit, Myqerem Tafaj dhe atij të Kosovës, Ramë Buja, u tha se janë ngritur grupe pune të përbashkëta. Ato po punojnë për unifikimin e programeve mes dy vendeve tona, në mënyrë që fëmijët e klasës së parë, të mësojnë me të njëjtën abetare. Së shpejti do të kemi tre tekste që do ti shërbejnë fëmijëve, nxënëseve që do të bazohen në program të njëjtë. Fillon me Abetaren dhe do të  vazhdojë me tej me të gjitha tekstet, tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja, e shprehu angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së përbashkët të ministrive të të dy vendeve. Ai theksoi se krahas domosdoshmërisë për njësimin e programeve dhe teksteve, duhet edhe shkëmbimi i ndihmës reciproke për zhvillimin e kapaciteteve profesionale. Ministria e Arsimit këtë vit do të rrisë numrin e kuotave për studentët e Kosovës që mësojnë në Shqipëri. Në të ardhmen pritet që diplomat e dhëna nga universitetet të kenë dy logo, atë të Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Po dje, ministri i Arsimit të Kosovës u prit edhe nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kryeministri theksoi se bashkëpunimi në fushën e arsimit midis Shqipërisë e Kosovës është themelor dhe sa më shpejt duhet të kapërcehen ndasitë e padrejta. Arsimi dhe kultura janë dy shtyllat themelore të qenies së një kombi, tha Berisha. Duke theksuar rëndësinë shumë të madhe që ka zbatimi i Marrëveshjes së përbashkët ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kryeministri tha se duhet të ecet me standarde të njëjta në fushën e arsimit në mbarë kombin.
Është e nevojshme të ecim drejt njësimit të plotë të programeve dhe teksteve, nisur nga tekstet bazë e deri tek ato që duhen përkthyer, u shpreh Kryeministri.

3 tekste
për arsimin fillor do të jenë të parat që do të përdoren të njëjta si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, në sajë të marrëveshjes për unifikimin e teksteve

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›