Fier, punëtori humbet këmbët në pusin e naftës
FIER – Aksidentohet në punë një 47-vjeçar, pasojë e së cilës ishte humbja e të dy këmbëve. Mësohet se Enver Sulaj ka humbur të dyja këmbët, pasi doli jashtë kontrolli sistemi qendror i një pusi efektiv në zonën e Drenovës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, Sulaj ka qenë duke punuar për nxjerrjen e naftës në këtë pus, ndërkohë që është plagosur. Sapo ka hyrë për të siguruar vënien në lëvizje të mekanizmit që injekton uji në pus dhe më pas përpunon e nxjerr nga thellësitë naftë, Enveri u gjend përballë shkëputjes së hekurit kryesor. Ai bërtiti dhe kërkoi ndihmë. U munduam ta ndihmojmë në kohë, por fatkeqësisht të dyja këmbët i ishin gjendur poshtë hekurit rrotullues, u shpreh Qemal Elmazi, një tjetër punëtor nafte. Sulaj është baba i dy fëmijëve. Ai është nga fshati Selitë i Mallakastrës dhe punonte në sektorin e naftës prej 12 vjetësh. Policia e Fierit ka nisur hetimin për këtë ngjarje, ndërsa e ka cilësuar atë si një ngjarje aksidentale. I plagosuri mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e këtij rrethi. m.r