E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e akullnajave

Alban SEJDINI*

Qeveritarët shqiptarë mund të arrijnë deri aty këtë muaj, sa të justifikohen se as në epokën e akullnajave nuk ka bërë kaq ftohtë sa këto ditë. Edhe pse, për fat, nuk jetojnë dot aq gjatë, atyre vetë mund tu duket sikur gëlojnë në qeverisje prej 20 mijë vitesh, sepse u bë një jetë me të njëjtat fytyra, premtime e gabime. Fëmijët lindën, u rritën, u martuan, u bënë me fëmijë, me nipër e mbesa e në fund ndërruan jetë, ndërsa disa prej qeveritarëve tanë janë më të ngjitur pas kolltukut se e kafta pas këpucës. Ndërsa drejtuesit e këtij vendi thonë, se pamjet televizive nga çorganizimi i organizuar i shtetit në këto ditë fatkeqësie natyrore janë të porositura nga dashakeqësit, vëmendja e publikut lëviz si top në fushën e tenisit, duke lënë mënjanë disa personazhe e dukuri që nuk çelin lule as në pranverë.

Automjetet e ministrave, deputetëve dhe përgjithësisht politikanëve në Shqipëri janë gjithashtu një mënyrë e mirë, për të perceptuar mënyrën e mbrapshtë të qeverisjes së këtij populli edhe në kohë akullnajash. Nuk është problem i madh që ministrat e gardistët lëvizin me bisha motorike të vjedhura apo të blerë tmerrësisht shtrenjtë me para taksapaguesish, sepse edhe në Ukrainë ministri i Drejtësisë lëviz me një Gëlë të vjedhur në Gjermani. Problemi është, që i gjithë soji i politikacove shqiptarë justifikohet dhe krahasohet vetëm me vende të pjerdhura dhe republika bananesh, se në vendet-tamam populli e media të merr gjak në vetull për shpenzimet e luksit me lekët e taksapaguesve. Në këto ditë akullnajash, vetëm kryekomunarët pëdëistë po shtrëngojnë dhëmbët e po mbajnë gjuhën brenda, jo nga i ftohti, por nga frika për tu ankuar në televizor se nuk po u jep njeri sapunë komunizmi e ilaç rrobash. Ministrat e deputetët me ato fytyra të përdhosura nga skamja komuniste duhej të ishin më mirë në majë të borëpastrueseve, sepse nuk ngjajnë shumë bukur nëpër automjetet e shtrenjta mbi rrugët e tenderuara të një vendi me të ardhme të falimentuar. Bëjnë një xhiro deri ku ua lejon dëbora sa për të kapur nja dy plane në televizor dhe kthehen prapë andej nga erdhën, se mirëqenia ua ka bërë lëkurën tepër të ndjeshme ndaj të ftohtit. E në këtë situatë nuk ka se si të mos e shijojnë duke qeshur nën zë hordhitë e diplomatëve të huaj.

Gjatë viteve të komunizmit, askujt nuk ia mbante të hidhte një hap në kundërshtim me ligjet e kohës. Përveç dënimit të një pjese të popullsisë për arsye, që sot tingëllojnë më të pakuptueshme se gjuha kineze, ky shtet funksional ia doli mbanë që të paktën në dukje ti edukonte nënshtetasit e vet me disa vlera universale si ndershmëria, dashamirësia, përkushtimi, puna në komunitet, ndihma reciproke, etj. Ai shtet la gjithashtu edhe një trashëgimi konkrete të përkthyer në godina fabrikash e uzinash, kodra të kthyera në brezare buke, një sërë monumentesh natyrore e njerëzore të mirëmbajtura, si edhe një natyrë kryesisht të pacenuar në bregdet e malësi.

Fatkeqësisht drejtuesit e rinj të mbeturinave të fundit të atij shteti, ca tipa si personazhi i oficerit/deputetit, luajtur nga Niko Kanxheri, tek Vdekja e kalit, i thanë shqiptarëve të inatosur, që ti rrafshojnë të gjitha sepse do të vijë çeku i bardhë. I papërgjegjshmi, biri i nomenklaturës që e tha, u shpall ekonomist i madh dhe hapi universitet privat të shtrenjtë, për të edukuar ekonomistë të tjerë si puna e tij. Shqiptarëve të thjeshtë, që i shkatërruan asetet fizike e shoqërore, u mbetej vetëm të thithnin si bebet gishtin e madh të dorës së tyre dhe të ruheshin nga gishtat e borxhezisë së re. Përmbledhur me pak fjalë, shtetit komunist nuk i kanë mbaruar ende resurset, të cilat vazhdojnë ende tia vjedhin edhe pas dy dekadash, gjë që duket nga pafundësia e aseteve të privatizuara e deri tek sapunët e shpërndarë për ndihma në zonat akullnajore të vendit. Mirë kjo, po as vlerave universale të lartpërmendura nuk po u gjendet nam e nishan në këtë lloj pluralizmi. Nëse këtu në Amerikë është vërtet detyrim të bësh punë në komunitet, ky lloj angazhimi konsiderohet si mbeturinë komuniste dhe pritet ndërhyrja e shtetit më gjatë se ardhja e Godosë, edhe kur bëhet fjalë për të pastruar çatinë e shtëpisë nga dëbora.

Në këto ditë të acarta ndonjërit mund ti vijë ndërmend edhe autogoli i drejtuesve të Festivalit të 50-të në RTSH, që i kujtuan edhe një herë publikut shqiptar me atë mbrëmjen retrospektivë, se këngët e edicioneve të së shkuarës të nxjerrin lot nga sytë më keq se kur qëron qepë. Duhen falënderuar të gjithë kompozitorët, autorët e teksteve dhe këngëtarët e festivaleve ndër vite për të gjitha ato emocione nga Jemi zemra e çdo moshe, drithërima nga Toka e diellit apo mbushje sysh me lot nga Rrjedh në këngë e ligjërime, sepse mund ti mbajnë njerëzit vërtet më ngrohtë se puna e qeveritarëve në këto ditë akullnajash.

*Rubrika MADE IN ALBANIA

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›