Shqipëria forcon sigurinë kibernetike, ndryshimet e reja ligjore rrisin gjobat dhe krijojnë strukturë të re inteligjence

Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 25/2024 „Për sigurinë kibernetike“. Ky projektakt synon përmirësimin e kuadrit rregullator kombëtar, forcimin e kapaciteteve instituzionale për reagimin ndaj incidenteve dhe përafrimin e praktikave vendase me standardet e Bashkimit Evropian, specifikisht me Direktivën (BE) 2022/2555 (NIS 2).
Zbatimi i ligjit ekzistues ka evidentuar nevojën për saktësime teknike dhe mekanizma më efikasë kontrolli mbi infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend.
Zgjerimi i kompetencave të AKSK-së dhe strukturat e reja
Projektligji, i cili përmban 19 nene, sjell ndryshime të rëndësishme në organizimin institucional. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) merr kompetenca të reja.
“Projektligji përforcon kompetencat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, duke i njohur funksione shtesë në fushën e prokurimeve të përqendruara për trajnimet në sigurinë kibernetike, si dhe në procesin e autorizimit të organeve të vlerësimit të konformitetit në këtë fushë.”, thuhet në relacionin shoqërues.
Ndër risitë kryesore strukturore përfshihen Grupi Ndërinstitucional i Inteligjencës Kibernetike, i cili krijohet si një mekanizëm i ri për shkëmbimin e informacionit, analizën e kërcënimeve dhe forcimin e koordinimit strategjik ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes; përmirësohet organizimi dhe funksionimi i ekipeve të përgjigjes ndaj incidenteve në nivel sektorial, duke qartësuar institucionet përgjegjëse për ngritjen e tyre; në sektorin e Administratës Publike (Aneksi I) përfshihen tashmë edhe subjektet e administratës publike të vetëqeverisjes vendore.
Detyrime të reja për operatorët dhe masat proaktive
Projektligji vendos rregulla më strikte për operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme, duke kërkuar transparencë mbi menaxhimin e të dhënave dhe sistemeve. Kjo përfshin detyrimin për deklarimin e mënyrës së hostimit (strehimit të të dhënave) dhe administrimit të rrjeteve.
Në kuadër të mbrojtjes proaktive, operatorët detyrohen të zbatojnë menjëherë masat teknike të urdhëruara nga Autoriteti:
“Parashikohet zbatimi i detyrueshëm i masave për bllokimin, filtrimin, kufizimin ose neutralizimin e treguesve të komprometimit (IOC), treguesve të sulmeve (IOA) dhe vulnerabiliteteve të komunikuara nga Autoriteti, me qëllim forcimin e mbrojtjes proaktive ndaj kërcënimeve kibernetike.”
Gjithashtu, krijohet baza ligjore për vetëdeklarimin e masave të sigurisë kibernetike si instrument paraprak monitorimi. Për sa i përket certifikimit, kriteri i vjetër i akreditimit zëvendësohet me procesin e autorizimit nga AKSK-ja për organet e vlerësimit të konformitetit.
Ashpërsimi i sanksioneve administrative
Për të garantuar përputhshmërinë me ligjin, projektakti zgjeron gamën e shkeljeve dhe përditëson masat e gjobave për kundërvajtjet administrative.
“Projektligji forcon sistemin e kundërvajtjeve administrative dhe sanksioneve, duke parashikuar shkelje të reja që lidhen me detyrimet e vetëdeklarimit, deklarimin e hostimit dhe moszbatimin e masave të sigurisë të urdhëruara nga Autoriteti, me qëllim rritjen e efektivitetit të zbatimit të ligjit.”
Kostot dhe efektet në Buxhetin e Shtetit
Zbatimi i këtij projektligji do të realizohet me faza, duke mundësuar një shpërndarje graduale të kostove. Efektet financiare lidhen kryesisht me ngritjen, personelin e specializuar dhe funksionimin bazë të CSIRT-eve sektoriale pranë ministrive dhe institucioneve rregullatore.
Sipas relacionit, këto efekte financiare do të përballohen plotësisht nga buxhetet ekzistuese të institucioneve përgjegjëse dhe planifikimi buxhetor afatmesëm, “pa krijuar detyrime për krijimin e institucioneve të reja me personalitet juridik”.
/rtsh.al/