E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria heq çmimin referencë për produktet kosovare

 Që nga dita e hënë, Tirana zyrtare e ka rikthyer çmimin e referencës nga 24 cent në 14 cent për pataten, ashtu siç kishte qenë edhe më parë. Prodhuesit kanë mirëpritur këtë vendim, por tani kërkojnë t'u kompensohet dëmi nga qeveria.

Me këtë problem prodhuesit kosovarë kishin kohë që përballeshin. Ata ishin ankuar në institucionet vendore, të cilat kishin marrë vendim që Shqipërisë t'i jepnin afat deri më 2 prill. Në rast se as deri në këtë datë nuk do të ndryshonte asgjë në këtë drejtim, atëherë kishin vendosur të vinin çmime referente për produktet shqiptare. "Kemi marrë konfirmim se Shqipëria ka hequr të hënën çmimin referent për pataten prej 24 centësh. Tani çmimi është rikthyer në 14 cent, ashtu siç kanë qenë edhe më përpara", konfirmoi për "Express" zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi.

Por nga ana tjetër, prodhuesit e patates në Kosonë kanë paralajmëruar protestë para ndërtesës së qeverisë dhe asaj të Ministrisë së Bujqësisë për të kërkuar nga qeveria kompensimin e dëmit prej 7 centësh për çdo kilogram patate. Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri u shpreh se ka vetëm një mundësi të hiqet dorë nga protesta. Ajo, sipas Tahirit, është kompensimi i dëmit.

Sipas Tahirit, prodhuesve të patates u kanë mbetur 70 për qind e patateve të prodhuara pa shitur. Por sa i përket heqjes së çmimit referent nga Shqipëria, Tahiri ka pohuar se tashmë është tepër vonë, ngaqë patatet kosovare mund të durojnë edhe vetëm 10 ditë.

Bedri Kosumi, prodhues i patates, e ka mirëpritur heqjen e çmimit referent nga shteti shqiptar, por, sipas tij, dëmet për ta kanë qenë të mëdha. "Shumë mirë është bërë që është hequr çmimi referent prej 24 centësh, sepse gjatë kësaj kohe kemi eksportuar shumë pak, ngaqë për ne, treg potencial është Shqipëria", ka thënë ai. Edhe sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, "këto barriera mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk i kanë shërbyer bashkëpunimit ekonomik mes të dy shteteve, ndërsa gjithçka ka marrë ngjyrime politike sesa ekonomike". /Start/

                                                                                             2012-04-03 11:55
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›